Shkup, 3 dhjetor – Pas akuzave nga politikani serb, Vuk Jeremiç, se Gruevski dhe Mijallkov kanë biznese kriminale në Serbi kanë reaguar nga partia opozitare VMRO-DPMNE. Përmes një njoftimi me shkrim, VMRO i ka mohuar këto akuza duke i quajtur defokusim të opinionit nga mediat e financuara nga LSDM. “As kryetari Nikolla Gruevski, as edhe Sasho Mijallkov nuk kanë asnjë lidhje me privatizimin e fabrikave në Serbi. As Gruevski e as Mijallkov nuk kanë tërhequr para nga Maqedonia për të blerë kompani në Serbi, ashtu siç raportojnë mediumet nën kontrollin e LSD-së. Zoran Zaev dhe LSD kanë nevojë për të defokusuar opinionin me çdo manipulim për të fshehur turpin që qytetarët çdo ditë e fshehin”, kumtojnë nga VMRO. Në komunikatë mes tjerash theksohet se “të dënuarit për likuidimin e djemve në Liqenin e Smillkovcit lëshohen që të mbrohen në liri për veprën penale për terrorizëm, ndërsa burgosen patriotë që kur ngroh diell janë ata të cilët e duan atdheun”.
Në ndërkohë, dhjetëra protestues simpatizantë të VMRO-DPMNE-së sërish janë mbledhur para burgut të Shutkës për të shprehur pakënaqësinë e tyre rreth arrestimeve të fundit të zyrtarëve të lartë të kësaj partie të cilët ndiqen nga Gjykata Penale për cenim terrorist të vendit të ndërlidhura me ngjarjet e 27 prillit në Parlament. Protestuesit kërkojnë lirimin e menjëhershëm të të paraburgosurve, duke theksuar se ata nuk janë terrorist. Të pranishëm në protesta ishin edhe kreu i VMRO-së, Nikolla Gruevski dhe ish kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski. Mes tjerash, protestuesit reaguan ndaj vendimit të djeshëm të Gjykatës Supreme për lirimin e të akuzuarve shqiptarë për rastin e Monstra. “Gjyqësia nën presion politik dje i liroi personat e akuzuar për terrorizëm, si kusht që të mbrohen në liri për vrasjen e pesë djemve në Liqenin e Smillkovës dhe u caktoi masë që të paraqiten dy herë në javë tek gjykatësja kompetente. E njëjta kjo gjykatë i modifikoi masat e paraburgimit shtëpiak për aktorin Vllado Jovanovski dhe regjisorin Boris Damovski dhe vendosi që t’i dërgojë në burgun hetues në Shuto Orizare”, thanë protestuesit. Sipas tyre, ky është imazh i marrë për drejtësinë e Maqedonisë sot. “Arrestohen dhe paraburgosen njerëz vetëm sepse e duan vendin dhe që zëshëm kanë vendosur t’i kundërshtohen huntës së Zaevit në qëllimet e tij për shkapërderdhës të Maqedonisë”. (koha.mk)