Qeveria e Spanjës e ka kundërshtar zhvillimin e El Clasicos mes Barcelonës dhe Real Madridit në Camp Nou më 26 tetor, duke thënë se duke e parë gjendjen e sigurisë, është e paarsyeshme që ndeshja të luhet në Barcelonë. La Liga i kërkoi Federatës së Futbollit të Spanjës (RFEF) ta zhvendosë El Clasicon në stadiumin e Real Madridit, Santiago Bernabeu, për shkak të krizës së vazhdueshme politike në Katalonjë, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Në Barcelonë janë duke u zhvilluar protesta të mëdha pasi nëntë politikan katalonas morën dënime të gjata me burgim për rolin e tyre në referendumin e Katalonjës për pavarësim nga Spanja më 2017.
“Ne mendojmë se, duke e parë sesi po shkojnë gjërat, në konsultim me La Ligën dhe RFEF-në, nuk është e arsyeshme që ndeshja të zhvillohet siç është paraparë, për shkak të gjendjes së sigurisë”, thuhet në reagimin e qeverisë spanjolle.
Edhe klubi i Barcelonës e ka kundërshtuar vendimin e gjykatës supreme të Spanjës për dënimin me burg të liderëve katalonas.
Ndeshja mes Barçës dhe Realit është e paraparë të luhet të shtunën në orën 13:00 më 26 tetor në Camp Nou.