Shkup, 12 mars – Pas lifirimit në opinion të iniciativës për shndërrimin e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në Ministri për Sistem Politik dhe Bashkësit Etnike, kanë reaguar pjestarët e Brigatës 112 të ish – Ushtrisë Çlitimtare Kombëtare (UÇK), të cilët thonë se Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit duhet të vazhdojë së funksionuari, njofton gazeta KOHA.
“Iniciativa parlamentare për ndryshimin e Ligjit mbi funksionimin e institucioneve shtetërore si dhe shuarjen e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe shndrimin e këtij institucioni në “Ministri” për sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve, ne luftëtarëve të UÇK-së, Brigada 112, na ka revoltuar jashtë mase. Kërkojmë që kjo ide të tërhiqet nga rendi i ditës ,të mos diskutohet aspak mbi këtë iniciativë, pasi që , institucion për të cilin kemi luftuar dhe i vetmi për implementimin dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve, Marrëveshja e Ohrit, ende nuk është zbatuar në tërësi”, thuhet në reagimin e brigadës 112, të ish-UÇK-së, transmeton gazeta KOHA.
Më tej në reagim theksohet se në shumë institucione nuk është arritur niveli 20% i përfaqësimit të shqiptarëve, e madje ka institucione të cilat ende janë pa asnjë shqiptarë të punësuar si dhe statusi i ish ushtarëve të UÇK-së është në ngecje. (koha.mk)