Shkup, 11 dhjetor – Lëvizja BESA në një komunikatë për media deklaron se shumë votues nuk janë në listat zgjedhore, edhe pse janë të paraqitur në KSHZ. “Vëzhguesit e Lëvizjes BESA po njoftojnë nga terreni se votuesit përballen me obstruksione të mëdha kur shkojnë në kutitë e votimit, pasi që nuk shfaqen në listat zgjedhore, edhe pse ata janë të regjistruar zyrtarisht në Komisionin Shtetëror Zgjedhor”, thuhet në njoftim. Sipas “Lëvizjes Besa” votuesit edhe pasi shkojnë në Komisionet Shtetërore Lokale për t’u paraqitur që më pas të votojnë, ata edhe aty pengohen në forma të ndryshme për të fituar të drejtën e votës. “Kjo gjë është shqetësuese për procesin zgjedhor të sotëm në të cilin duket se po shkelen të gjitha të drejtat demokratike. Apelojmë deri te organet përgjegjëse që së ma shpejt të reagojnë dhe të marrin masat e nevojshme për t’u dhënë të drejtën e votës secilit qytetar, në të kundërtën ky proces zgjedhor mund të vihet në pikëpyetje”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes BESA.