Migjen Basha ishte titullar në sfidën e djeshme të Arisit, por ndeshja e mesfushorit shqiptar nuk zgjati më shumë se 11 minuta. Basha u detyrua të linte fushën e lojës pas një ndërhyrjeje brutale ndaj kundërshtarit, serbit Novica Maksimovic, duke u ndëshkuar menjëherë me kartonin e kuq.
Megjithatë, ishte vetë Basha, i cili reagoi në rrjetin social Instagram, duke kërkuar falje për ndërhyrjen antisportive , ndërsa i kërkoi ndjesë edhe kundërshtarit.
“Dua t’iu kërkoj falje të gjithëve për ndërhyrjen e ashpër në ndeshjen ndaj Panionisit, dua t’i kërkoj gjithashtu falje kundërshtarit dhe shpresoj t’a rishoh sa më shpejt sërish në fushë. Ishte një incident i rëndë i cili nuk është në natyrën time”, theksoi Migjen Basha për faullin përtej limiteve të rregullores që i shkaktoi kundërshtarit.