Shkup, 16 gusht – Një status në profilin e tij në Facebook sërish ka detyruar Ambasadën e Turqisë në Shkup të reagojnë ndaj ambasadorit kosovar në Shkup, Gjergj Dedaj. Ka qenë reagimi i Dedajt kundër autoriteteve shqiptare në Tiranë që kanë lejuar vendosjes e një pllake përkujtimore me emrat e civilëve të vrarë natën e grusht-shtetit në Turqi, ndërsa Dedaj ka akuzuar sërish presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan për diktatorë dhe sundues të shqiptarëve, shkruan koha.mk.
Megjithatë, pas reagimeve të shumta edhe në media, sesi një ambasador në një vend tjetër reagon për ngjarje në shtet tjetër, Dedaj sot ka fshirë statusin e tij. Në ndërkohë, Dedaj njihet si njeri që gati çdo ditë shkruan kundër Turqisë dhe qeverisë turke, ndërsa pothuajse për çdo muaj ka shkaktuar reagime në në opinion.
Reagimi i plotë i Ambasadës së Turqisë ndaj ambasadorit kosovar, Gjergj Dedaj:
“I dënojmë ashpër pretendimet e pabaza të theksuara në postimin e fundit të ambasadorit të Kosovës në Shkup, në lidhje me memorialin në ‘Parkun e demokracisë së 15 korrikut’ në Tiranë dhe diskursin armiqësor që e ka për të nderuarin President të Republikës së Turqisë.
Postimi i fundit e vërtetoi që ishte i drejt vendimi jonë për mos realizim të takimi me Ambasadorin e Kosovës në Shkup, Dedaj, i cili edhe në të kaluarën disa herë kishte deklarata kundër vendit tonë dhe i cili nuk është i vetëdijshëm për obligimin që ia sjell mbi supe posti që e mbart.
Pritshmëria jonë nga miqtë tanë është që ta shfaqin solidaritetin dhe bashkëpunimin e duhur në drejtim të luftës me vendosmëri të shtetit tonë, i cili ka dhënë një provim për lavdi për mbrojtje të demokracisë, kundër të gjitha organizatave terroriste në krye me FETO-n”. (koha.mk)