Akademia e Shkencave të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë festuar 50 vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, që shërbeu si akt themeltar i gjuhës standarde shqipe, me çrast publicisti kosovar, Migjen Kelmendi, ka reaguar me mënyrën se si u kremtua ky jubile.
Mirëpo, Kelmendi këtë herë e ka rezervuar reagimin e tij personal për herë tjera, por ai ka ripostuar dy reagime, të cilat sipas tij, “përkufizojnë qartësisht distancën civilizuese mes njerëzve në atë sallë, dhe atyre që s’ishin aty”.
“Shqipja standard në momentin e tanishëm nuk po zbatohet mirë – aq sa e ka njeriu të pamundur që të gjejë një dokument të vetëm zyrtar, që të ndjekë standardin”.
“Në të njëjtën kohë, me bekimin qeveritar, Akademitë nga Tirana dhe nga Prishtina do të mblidhen të festojnë 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972”.
“I cili Kongres ishte pjesë organike, në mos kulm, i politikave kulturore të një regjimi totalitar”.
Në bazë të këtyre fakteve, Vehbiu shtroi pyetjen se “Si mund të festohet përvjetori i sanksionimit të standardit të shqipes, në një kohë kur ky standard sot nuk po funskionon?”
“A nuk do të ishte më mirë që, në vend të festimeve boshe (kombi ynë, bla-bla-bla, penda e Naimit), të organizohej një diskutim serioz se pse nuk po funksionon standardi?”
Të tjerat, sipas tij janë “diskutime paralele dhe anësore, që mbase do të gjenin vend tek ajo tryezë e rrumbullakët që propozoja – duke filluar edhe me mënyrën si u mbyt gegnishtja letrare në ujërat burokratike”.
“Standardi gjuhësor është vegël që i duhet një shoqërie të avancuar, për të komunikuar mes veti; përfshi këtu edhe mënyrën si komunikon shteti me qytetarët dhe funksionimin e arsimit publik dhe të mediave”.
“Nëse kjo vegël nuk po punon mirë, atëherë duhet ndrequr”, shpjegoi ai duke shtuar se “në vend që të ulen dhe ta ndreqin, Akademitë po e vënë tani në kornizë dhe po e adhurojnë si të ishte ikonë”.
Ndërkaq, siç vlerëson ai, këto kremtime dhe adhurime nuk i ndihmojnë standardit për asgjë, por u ndihmojnë institucioneve – si Akademitë – që të riprodhohen dhe të ruajnë relevancën e tyre, në një kohë kur prestigji i tyre ka rënë, sikurse ka rënë vetë prestigji dhe autoriteti i standardit.
“Festimet dhe kremtimet dhe jubiletë maskojë një problem alarmant për shoqërinë dhe kulturën”.
Shteti – e kam fjalën për Shqipërinë – duhet të ishte alarmuar me degradimin e standardit, sepse, njëlloj si kanarina në minierë, ai lajmëron një krizë në raportet e qytetarëve me shtetin: humbje të besimit dhe të respektit, rrëgjim të autoritetit.
“Një standard që nuk arrin të zbatohet, nuk ekziston, dhe ashtu na rroftë data kur është sanksionuar”.
Nga ana tjetër, Blertë Kraja, ka thëne se gjuha standarde është krijuar “nën një presion ideologjik, të dhunshëm, më shumë si shprehje e dëshpërimit që përdoruesit e gjuhës shqipe e kanë braktisur, ku as vetë këta që janë Shtet nuk e zbatojnë në shkresat zyrtare që përpilojnë”.
“Ngjarjet e vrullshme të pas viteve ’90 në Ballkan, rënia e kufijve në botën shqipfolëse, gjuha e re teknologjike që po pushton jetët tona na vë para imperativit të natyrshëm për gjetjen e një ekuilibri të ri rregullash për gjuhën shqipe zyrtare”, argumenton Kraja duke shtuar se “sa i takon gjuhës shqipe që përdorin krijuesit ata janë të lirë të eksperimentojnë, po të duan të shkruajnë edhe në nëndialekt apo në esperanto, mjafton që të gjejnë lexues që i kuptojnë. Koha për një komision të ri mbarë shqiptar për një gjuhë shqipe moderne”.
/Albanianpost.com