Reagime të shumta në Prishtinë ndaj ambasadorit Gashi, por çfarë përmban shkrimi origjinal në medien franceze që e ka shpërndarë ambasadori?

40

Muhamet Ajrullahu

Në Kosovë ka zgjuar reagime të shumta një ri-shpërndarje e një shkrimi të gazetës ‘Lefigaro’ në Francë në Twitter nga ambasadori i Kosovës atje, Qëndrim Gashi.

Për këtë kishte edhe ka reagime të shumta dhe nga më të ndryshmet ku kritikohet ambasadori Gashi për një shkrim në të cilën është edhe karikatura e Profetit Muhamed.

Do të sjellim shkrimin e plotë dhe pa ndërhyrje të medias franceze, e cila realisht është një përmbledhje e ngjarjeve se çfarë ka ndodhur në Francë javën e fundit.

Prerja e kokës së Samuel Paty: sinjalime, thirrje kërcënuese, ankesa, video… Si rrodhi ngjarja njëmbëdhjetë ditë para vrasjes:

KRONOLOGJIA – Një rikthim mbi një dramë në shtatë data.

Nga Caroline Beyer dhe Marie-Estelle Pech

[Karikatura 1] [Karikatura 2]

Karikatura e Muhamedit dhe ballina e “Charlie Hebdo” që mësuesi në kolegjin në Bois-d’Aulne i tregoi klasës së tij të klasës së tetë (frëngjisht 4e). Charlie Hebdo.

Më 5 tetor, Samuel Paty, profesor i historisë dhe gjeografisë, e mban një orë mësimi mbi “konturet dhe kufijtë e lirisë së shprehjes”. Në klasën e tij të tetë, mësimdhënësi në kolegjin Bois d’Aulne në Conflans-Sainte-Honorine, i tregon dy karikatura të Muhamedit, botuar në Charlie Hebdo. E para është ballina e gazetës, botuar pas atentatit të janarit 2015. E dyta tregon profetin të zhveshur dhe të përkulur me një yll në vithet e tij, shoqëruar me tekstin “një yll ka lindur”.

Më 6 tetor, një nënë e një nxënëseje e kontakton drejtorin e kolegjit. Ajo raporton se vajza e saj ishte “mënjanuar në korridor me pretekstin se ishte myslimane”, tregon një shënim i 12 tetorit nga inteligjenca territoriale, e cila qartazi ishte interesuar për këtë çështje. Në fakt, mësuesi u kishte sugjeruar studentëve që do të mund të ishin të ndjeshëm “t’i mbyllnin sytë ose të dilnin nga klasa”, thuhej në shënim.

Më 7 tetor, në mediat sociale, një baba i një nxënësi e denoncon “një klimë islamofobie” dhe kërkoi shkarkimin e mësuesit. Brahim Chnina, vajza e të cilit është në klasën e tetë, e tregon në Facebook përhapjen e një imazhi të profetit lakuriq dhe nis një “thirrje për mobilizim kundër mësuesit”.

Burri, motra (nga njeri prind) e të cilit u bashkua me Shtetin Islamik në 2014, i nxit lexuesit e tij t’i shkruajnë në veçanti Kolektivit kundër Islamofobisë në Francë (CCIF). Një organ i njohur për të ndjekur, në një mënyrë aktiviste dhe procedurale, rastet e islamofobisë.

Drejtori merr thirrje të shumta kërcënuese në kolegj dhe i kërkon ndihmë institucionale. “Akademia më pas e mobilizoi ekipin ‘Vlerat e Republikës’. Ky ekip erdhi në kolegj për ta takuar mësuesin dhe ekipin mësimor. Ai bisedoi me Samuel Paty dhe e inkurajoi në qasjen që ai kishte pasur gjatë orës së tij të mësimit. Ekipi gjithashtu e këshilloi atë të rikthehej tek kjo njësi mësimore me nxënësit e tij në mënyrë që ta qetësonte situatën”, ka shpjeguar të dielën rektorati i Versajës, pas thashethemeve që, në rrjetet sociale, flitnin për një sanksion akademik që shqyrtohej kundër mësimdhënësit.

Gjithashtu më 7 tetor, Brahim Chnina, i shoqëruar nga vajza e tij, paraqet një ankesë për “shpërndarjen e imazheve pornografike”. Në dëgjim, vajza e re shpjegon se mësuesi u kërkoi studentëve myslimanë të ngrinin duart dhe të largoheshin dhe specifikon se ajo ishte përjashtuar për dy ditë. Prokurori publik tha të shtunën se ky përjashtim ishte në fakt i lidhur me sjelljen dhe vonesat e saj. Pos tjerash, është vërtetuar se ajo nuk ishte e pranishme në orët mësimit.

Më 8 tetor, Abdelhakim Sefrioui, dosja S, hyn në lojë. Emri i Samuel Paty është shpërndarë në rrjetet sociale. Atë ditë, Brahim Chnina shkon në kolegj, ku drejtori përpiqet t’i qetësojë gjërat. Ai shoqërohet nga Abdelhakim Sefrioui, dosja S dhe i regjistruar në dosjet e njerëzve të radikalizuar. Të dy burrat nuk pranojnë të takohen me Samuel Paty. Ata kërkojnë shkarkimin e tij për ndryshe do ketë mobilizimin dhe demonstrim. Në mbrëmje, Brahim Chnina e publikon një video në rrjetet sociale në të cilën ai ia përmend emrin mësuesit dhe i inkurajon njerëzit të “thonë stop”. Një zyrtare e “Peep”, federata e dytë e prindërve, në Conflans, thotë se bëri sinjalizime në rrjetet sociale për të kërkuar tërheqjen e videove. “Mendova me vete se ai po rrezikohej shumë, se duhej të mbrohej”. Ajo njofton drejtorin, i cili thotë se “çështja po përcillej”. Presidenti i FCPE, federata e parë e prindërve, duke vërejtur përhapjen e videove, kontaktoi kryetarin e bashkisë më 9 tetor. Përfaqësuesi i zgjedhur u përgjigje se “dispozitat  janë marrë”. A duhej vendosur Samuel Paty nën mbrojtje?

Më 12 tetor, një video e dytë me titull “Islami dhe Profeti i Fyer në Shkollën e Mesme” u postua në YouTube. Babai e rrëfen versionin e tij të fakteve, bashkë me vajzën e tij. Një person i tretë, Abdelhakim Sefrioui, përsëri kërkon përjashtimin e profesorit. Të njëjtën ditë, Samuel Paty dëgjohet në stacionin e policisë dhe e paraqet kundërpadinë. Ai e konteston “në mënyrë energjike të ketë kërkuar nga studentët myslimanë të identifikohen dhe të dalin jashtë,” tha prokurori të shtunën. I shoqëruar nga drejtori i kolegjit, ai paraqet një ankesë për “shpifje publike”. Në shënimin e tyre të datës 12 tetor, agjentët e inteligjencës territoriale shkruajnë se “komunikimi ndërmjet menaxhmentit dhe familjeve i zbutur dukshëm tensionet, të cilat janë kryesisht për shkak të familjes së Brahim Chnina i cili duket se përfiton nga kjo situata për të denoncuar një islamofobi të ambientit ”.

Më 16 tetor, Samuel Patyt iu pre koka nga Abdhoullakh Anzorov. Refugjati 18-vjeçar rus me origjinë çeçene u kërkoi nxënësve t’i tregojnë cili është mësimdhënësi. Ai e godet me thikë dhe i pret kokën. Policia është pranë institucionit, por jo për ta siguruar atë. Ajo po kryente një mision për të raportuar mbi përdorimin e mundshëm të drogës në zonë.