Shkup, 13 janar – Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE reagon ndaj konferencës për shtyp të Qeverisë ku fjalim kishin zëvendës-kryeministri Bujar Osmani, ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, njofton Koha.
Nga VMRO-DPMNE thonë se është e turpshme që Zoran Zaevi, Nikolla Dimitrov apo Radmilla Sheqerinska qëndrojnë para tabelës ku shkruan Qeveria e Republikës së Maqedonisë e më pas lavdërohen me ndryshimin e dhunshëm të Kushtetutës dhe fshirjen e emrin Republika e Maqedonisë.
“Në një situatë kur Maqedonia dhe populli janë të dëshpëruar me humbjen e emrit, vetëm Zaevi, Sheqerinska dhe Dimitrov festojnë. Maqedonia sot nuk feston”, thonë nga kjo parti duke shtuar se të kota janë premtimet se të kota janë krijimi i reformave si pretekst nga ikja nga zgjedhjet.
VMRO-DPMNE thotë se ndryshimi i Kushtetutës është bërë në kundërshtim me interesat shtetërore dhe kombëtare të vullnetit të qytetarëve të shprehur në referendum.
“Mbetet e shkruar se 81 njerëz në Kuvend e ndryshuan emrin dhe identitetin, po jo populli, jo qytetarët e këtij shteti”, citohet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Sipas VMRO-DPMNE-së, votimi në Kuvend për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues u zbatuan me dhunë, me shantazh dhe shkeljen e sistemit gjyqësor – me keqpërdorimin e gjithçkaje që paraqet demokracinë.
Në kumtese VMRO-DPMNE-ja i bën thirrje LSDM-së që të mos fshihet por të dalë në zgjedhje, të cilat, siç citohet, nuk do të jenë zgjedhje për kolltuk, por zgjedhje në të cilat do të fitojë populli. (Koha.mk)