Shkup, 26 dhjetor – Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) vlerëson se fjalimi para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë nga presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov, edhe njëherë konfirmoj mendësinë e tij të vjetër, dhe se dëshiron deri në fund t’i qëndroj besnik kësaj mendësie që ka lënë pasoja të rënda për shtetin.
Sipas RDK-së, të vazhdosh edhe më tutje të deklarosh se Platforma e një shteti të huaj është duke rrënuar karakterin unitar të vendit, edhe përkundër pasojave të rënda të kësaj retorike mashtruese, nuk është asgjë tjetër përpos një mendësi e vjetër, që kurrë nuk do të arrij të reformohet dhe reflektoj, pavarësisht tentimeve për ndryshime në partinë opozitare maqedonase.
“Të vazhdosh të theksosh se lajmet e rrejshme të qeverisjes aktuale janë duke rrënuar shtetin në përgjithësi, nuk është asgjë tjetër përpos mohim dhe ikje nga fakti se lajmet e rrejshme e kanë burimin pikërisht në partinë opozitare maqedonase, që ka qeverisur me shtetin për 11 vite. Këto lajme të rrejshme kanë shkatërruar të gjitha institucionet e vendit, që tani kërkon angazhim të jashtëzakonshëm për riparimin e këtyre institucioneve”, kanë thënë në RDK.
Sipas RDK-së, të bësh krahasim mes krizës së refugjatëve nga Kosova të vitit 1999, me ngjarjet e rënda të Lagjes të Trimave, është e neveritshme që nuk i takon një presidenti të shtetit dhe për këtë arsye shpresojmë se në vitin e fundit të tij si president, të thotë sa më pak fjalë, sepse vetëm në këtë mënyrë, kur ai hesht, shteti lëviz më mirë.