Shkup, 9 janar – Raundi i ri i bisedimeve për zgjidhjen e kontestit të emrit do të mbahet më 17 janar në Nju-Jork, konfirmojnë nga MPJ-ja për MIA-n.
Është parashikuar që ndërmjetësi i KB-së, Methju Nimic të takohet me negociuesit nga Maqedonia dhe nga Greqia, Vasko Naumovski dhe Adamantios Vasilakis.
Raundi i fundit i bisedimeve për emrin, pas ngecjes trevjeçare, u mbajt në Bruksel më 11 dhe 12 të muajit të kaluar.
Atëherë është paralajmëruar se ndërmjetësi Nimic çdo muaj do të mbajë takime me negociuesit, me qëllim që të gjendet zgjidhje.
Raundi i ri i bisedimeve vjen në periudhë të aktiviteteve të intensifikuara dhe optimizmit në Shkup, Athinë, Bruksel dhe Uashington, për mbyllje përfundimtare të kontestit dydekadësh me emrin.
Kryeministrat e Maqedonisë dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, në ditët e kaluara deklaruan se ekzistojnë mundësi që të gjendet zgjidhje për kontestin në gjysmën e parë të vitit 2018.