Gazetari Arben Ratkoceri, njëherësh botues i gazetës KOHA, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të mbrëmshme lokale në vend, ndërsa ka shkruar se BDI, në nivel republike është fitues absolut, deri në Tetovë e Gostivar – si dy qytete kryesore shqiptare, regjistrohet si humbësja më e madhe e së dielës. “Në Tetovë e Gostivar, si dy qytete kryesore shqiptare, humbësi më i madh është BDI, e cila investimin kryesor gjatë fushatës e bëri në këto dy qytete, sidomos në Gostivar edhe humbi. Kur kësaj ia shtoj edhe atë që shumica e funksionarëve kryesorë në ekzekutiv e drejtori vijnë nga këto dy qytete, atëherë rezultati i dobët duket edhe më i hidhur për BDI-në”, shkruan në FB Ratkoceri, derisa shton se “nga leximi i votave, shumë më mirë ka funksionuar koalicioni mes ASH-AAA me VMRO, se sa LSDM-BDI”
Statusi i plotë i Arben Ratkocerit në FB:
“Nga rezultatet e mbrëmshme, fituesi më i madh i zgjedhjeve është Lëvizja BESA, ndërsa humbës – koalicioni opozitar shqiptar ASH-AAA, sidomos kandidatët e Alternativës. BDI, në nivel republike është fitues absolut. ASH-AAA e habitshme, në vend që të ketë rritje votash, po i ndodh e kundërta dhe nëse vazhdon kështu – është e qartë se e ka të pamundur ta mund BDI-në, tash e në “20 vitet” e ardhshme!
Në Tetovë e Gostivar, si dy qytete kryesore shqiptare, humbësi më i madh është BDI, e cila investimin kryesor gjatë fushatës e bëri në këto dy qytete, sidomos në Gostivar edhe humbi. Kur kësaj ia shtoj edhe atë që shumica e funksionarëve kryesorë në ekzekutiv e drejtori vijnë nga këto dy qytete, atëherë rezultati i dobët duket edhe më i hidhur për BDI-në.
Komunat shqiptare që u fituan më herët nga LSDM duket se të gjitha do t’i fitojë pa problem BDI në rrethin e dytë. Nga leximi i votave, shumë më mirë ka funksionuar koalicioni mes ASH-AAA me VMRO, se sa LSDM-BDI. Votuesit e BDI-së shihet se kanë qenë më korrekt gjë që nuk mund të thuhet për ata të LSDM-së në raport me BDI. Në kampin politik maqedonas, debakëll i LSDM-së qeveritare dhe fitore e pastër e opozitës”.