Para fillimit të seancës së fundit për rastin “Sazdovski”, gjykatësja Aleksovsk-Stojanovska propozoi që të akuzuarit të fillojnë të japin rrëfimin e tyre për rastin se si ka ndodhur. Megjithatë, ky propozim ashpër u kundërshtua nga avokatët e të akuzuarave, të cilët theksuan se mbrojtjen e tyre të akuzuarit do ta japin pas përfundimit të rikonstruimit të ngjarjes, dëshmi kjo e propozuar nga avokatët e mbrojtës
Omer XHAFERI
Shkup, 25 dhjetor – Gjykata Penale e Shkupit nuk e pranoi propozimin e avokatit të familjes Sazdovski, që ndaj sistemit kompjuterikë të djalit të tyre, të kryhet ekspertizë nga Sektori për forenzikë digjital i Ministrisë për Punë të Brendshme. Vendimi i Trupit gjykues në krye me gjykatësen Daniella Aleksovska-Stojanovska, ishte decid se bëhet fjalë për kërkesë të pabazë, prandaj i njëjti refuzohet. Ndërkohë, propozimin e avokatit Vanço Shehtanski e mbështeti edhe prokurori i lëndës, Anel Fidovski. Mirëpo, i njëjti u kundërshtua nga avokatit Naser Raufi dhe Asmir Alispahiç, shkruan gazeta KOHA.
“Kërkojmë që Gjykata në bazë detyrës zyrtare të jep urdhëresë deri te Sektori për forenzikë digjitale pranë Ministrisë për Punë të Brendshme që të kryej ekspertizë në sistemin kompjuterik të të ndjerit Nikolla Sazdovski dhe telefonin e tij celular. Një ekspertizë e tillë propozojmë të realizohet edhe te pajisjet e njëjta të të akuzuarve. Njëkohësisht, sektori i apostrofuar i MPB duhet të konstatoj se vallë, të akuzuarit kanë poseduar telefona celular, pasi në aktakuzë qëndron se të njëjtit nuk kanë celularë. Mendoj se kjo është absurde”, tha Shehtanski në kërkesën e tij e cila më pas u refuzua.
Ndonëse ai nuk e argumentoi se pse në këtë fazë të vonshme e kërkon këtë ekspertizë, sipas përshkrimit të detajeve, kuptohet se qëllimi i palës së dëmtuar është të vërtetohet lidhja paraprake (njohja e cila nuk ekziston) mes klientit të dhe të akuzuarve Besir Bela dhe Skender Demiri.
“Nuk mund të supozoj se çfarë dëshmi mund të burojnë nga kjo ekspertizë, por unë vetëm e parashtrova kërkesën në bazë të mundësive që më jep ligji”, tha shkurt avokati Shehtanski.
Gjatë argumentimit të kundërshtimit të tyre, pala mbrojtëse tha se avokati Shehtanski nuk mundet ta luajë rolin e prokurorit dhe aq më pak gjykata të vendoset në krye të hetimeve, kur me dispozitat e reja të Ligjit për procedurë penale është e qartë se të gjitha hetimet i zhvillon prokuroria.
Ndryshe, para fillimit të seancës së fundit për rastin “Sazdovski”, gjykatësja Aleksovsk-Stojanovska propozoi që të akuzuarit të fillojnë të japin rrëfimin e tyre për rastin se si ka ndodhur. Megjithatë, ky propozim ashpër u kundërshtua nga avokatët e të akuzuarave, të cilët theksuan se mbrojtjen e tyre të akuzuarit do ta japin pas përfundimit të rikonstruimit të ngjarjes, dëshmi kjo e propozuar nga avokatët e mbrojtës. Seanca e radhës për rastin “Sazdovski” është caktuar të zhvillohet më 21 janar të vitit 2019. Deri atëherë mbetet të shihet nëse brenda kohës gjykata do të prononcohet për kërkesën e palës mbrojtëse që të kryhet rikonstruim i rastit ose në seancës e caktuar për muajin janar, të akuzuarit do të prezantohen me mbrojtjen e tyre.
Deri më tani në procesin gjyqësor për vdekjen e të riu Nikolla Sazdovski, pranë Gjykatës janë prezantuar një varg provash verbale dhe materiale nga ana e Prokurorisë së Shkupit, të cilët në asnjë moment nuk përputhen me veprimet të cilat i kanë ndërmarrë të akuzuarit. Duke e cilësuar aktakuzën kundër Besir Belës dhe Skender Demirit si tendencioze dhe aspak të drejtë, për ditën e martë ishin paralajmëruar protesta, mirëpo të njëjtat u anuluan në momentin e fundit. (koha.mk)