Shqiptimi i dënimit prej gjithsej 38 vite burg për të akuzuarit Bela dhe Demiri nga gjykatësja e lëndës Daniella Aleksovska, shkaktoi reagime të ashpra në opinion, edhe për faktin se Prokuroria e Shkupit, bëri rikualifikim nga vepra penale “dhunë”, në veprën penale “vrasje mizore”
Omer XHAFERI
Shkup, 28 maj – Ankesa e Prokurorisë Themelore të Shkupit për rastin “Sazdovski”, në të cilën kërkohej dënim maksimal prej 20 vitesh burgim për të akuzuarit Besir Bela dhe Skender Demiri, është refuzuar nga Prokuroria e Lartë e Shkupit. Siç mëson gazeta KOHA, ky mendim tashmë është dorëzuar në Gjykatën e Apelit në Shkup dhe parashikimet janë që kjo lëndë do të kthehet përsëri në rigjykim në Gjykatën Penale të Shkupit. Mirëpo, fjalën e fundit pritet ta ketë Gjykata e Apelit në Shkup, e cila në periudhën që vijon, duhet ta caktoj seancën publike ku do të shqyrtohen ankesat e palëve në këtë procedurë gjyqësore.
“Prokuroria e Lartë e Shkupit nuk e ka diskutuar çështjen e kualifikimit të veprës penale, e cila në këtë rast është ‘vrasje mizore’, por vetëm ankesën e Prokurorisë themelore, respektivisht lartësinë e dënimit për të akuzuarit Besir Bela dhe Skender Demiri dhe është vendosur se ankesa e prokurorisë është e paarsyeshme. Kjo nënkupton se dënimi prej 19 vite heqje lirie mund të zvogëlohet dhe assesi të rritet”, thonë burime të prokurorisë për gazetën KOHA. Pas shqyrtimit në seancë publike, Gjykata e Apelit në Shkup në kuadër të kompetencave që i ka, këtë lëndë mund ta rikthejë në rigjykim, ta ndryshojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë (në këtë rast të sjell aktgjykim më të ulët se 19 vite burg) apo të vërtetoj dënimin e njëjtë.
Prej shpalljes së aktgjykimit për rastin “Sazdovski”, nga Gjykata Penale e Shkupit kanë kaluar më tepër se një vit. Gjatë gjithë kësaj periudhe, lënda (ankesat) e palëve në procedurë kanë qarkulluar nëpër korridoret e Gjykatës së Apelit në Shkup dhe Prokurorisë së Lartë të Shkupit. Shqiptimi i dënimit prej gjithsej 38 vite burg për të akuzuarit Bela dhe Demiri nga gjykatësja e lëndës Daniella Aleksovska, shkaktoi reagime të ashpra në opinion, të cilët këtë vendim të GJPSH-së e cilësuan si të njëanshëm dhe selektiv. Incidenti mes të akuzuarve dhe të ndjerit Nikolla Sazdovski ndodhi në fund të qershorit të vitit 2018. Ndërkohë, vdekja e Sazdovskit, u konstatua dy javë më vonë. Procedimit të lëndës dhe shqyrtimi të saj nga Prokuroria e Shkupit, para dorëzimit të aktakuzës në gjykatë i paraprinë disa protesta të organizuar nga tifo grupi “Komiti”. Një pjesë e tyre u organizuan edhe para godinës së Prokurorisë Publike. Këto veprime sipas avokatëve të të akuzuarve Bela dhe Demiri kanë qenë arsyet kryesore që e kanë nxitë Prokurorinë e Shkupit, që veprën penale ta rikualifikojë nga vepra penale “dhunë”, në veprën penale “vrasje mizore”. (koha.mk)