Dyqind kilogram marijuanë u gjetën në një aksion të MPB-së dhe DEA-s amerikane. Janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa të involvuara janë edhe dy kompani për prodhimin e marijuanës. Duke pasur parasysh se DEA ka qenë e përfshirë në aksion, na bën të mendojmë se përpjekjet e vendit në luftën kundër tregtisë me lëndët narkotike nuk janë të mira, thonë ekspertët
Xhenur ISENI
Shkup, 14 prill – Në një afat prej disa muajsh, policia përsëri konfiskoi një sasi të madhe të marijuanës, por këtë herë me ndihmën e agjencisë amerikane DEA. Ashtu si më parë, edhe tani në gjithë rastin janë involvuar edhe kompani për prodhimin e kanabisit për nevoja medicinale. Në aksionin e dhjetorit, bëhej fjalë për 280 kilogram marijuan të konfiskuar në dy aksione nga dy kompani. Ndërsa tani bëhet fjalë për 200 kilogram në vlerë prej afro 800 mijë euro, ndërsa gjashtë persona përfunduan në paraburgim dhe pritet që Prokuroria Publike të jep përgjigje për pyetjet e hapura në këtë rast. Aksioni gjatë ditës së premte ishte zbatuar në aksin rrugorë Prilep-Rosoman në afërsi të fshatit Raec. Të dyshuarit kanë qenë me dy vetura dhe një furgon – ku droga ka qenë e paketuar në 40 kuti kartoni. Janë dorëzuar padi penale kundër personave nga Strumica, Shkupi, Kumanova, Manastiri dhe Prilepi. Në shtëpitë e tyre policia ka gjetur para, marijuanë dhe armë, ndërsa është kryer kontroll edhe në dy fabrika për prodhimin e kanabisit mjekësorë në Prilep dhe në Manastir me të cilat, siç potencuan nga Ministria e Punëve të Brendshme, ka bashkëpunuar njëri nga personat e dyshuar me iniciale A.U.
Duke pasur parasysh se DEA ka qenë e përfshirë në aksion, na bën të mendojmë se punët në vendin tonë në luftën kundër tregtisë me lëndët narkotike nuk janë të mira, thotë profesori universitar Bashkim Selmani. Sipas tij, kriminalitetin të trashëguar me marijuanë nga qeveria e Gruevskit, qeveria e tanishme e kryeministrit Zoran Zaev po e jetëson institucionalisht. “Shikuar në prizmin e kriminalitetit – i ndarë në dy grupe, i pari ka të bëjë me kriminalitetin jashtë institucional dhe të dytin – involvime institucionale apo e quajtur ‘kriminaliteti me pamje shteti’. Në ketë rast, kriminalitetin r trashëguar me marijuanën nga ish qeveria e Gruevskit, kjo qeveri e vazhdoi dhe e jetësoi institucionalisht. Është një situatë të cilën nuk e lejon faktori ndërkombëtar dhe rasti i fundit është një paralajmërim dhe mesazh që kjo qeveri – jo vetëm nuk e luftoi këtë dukuri, por viktimizoi shtetin e së drejtës dhe vazhdon të kërcënojë jetën e qytetarëve. LSDM dhe VMRO aktualisht qëllimin e kanë të përbashkët vetëm se rrugët i ndajnë dhe bëjnë akuza të ndërsjella për të qenë të pafajshëm para publikut”, ka deklaruar për KOHA, Bashkim Selmani, profesor universitar.
AKUZA PËR PËRFSHIRJE ME LSDM-në
Kush me kë të dojë le të jetë i afërt, nëse dikush e ka shkelur ligjin, ai do të mbajë përgjegjësi. Kështu e komentoi kryeministri Zoran Zaev rastin e konfiskimit të 200 kilogramëve marijujanë me vlerë prej rreth 800.000 euro në Prilep, ku ndër të arrestuarit është edhe Aleksandër Ushillkovski, shoferi i Trajçe Zaevit, kushëririt të kryeministrit. Kryeministri pohon se shoferi i furgonit nuk është i punësuar në kompanitë e familjes Zaev. “Furgoni nuk është në pronësi të kompanive të familjes Zaev, në fakt, madje furgoni ka targa greke dhe nuk kam asgjë për të shtuar ose hequr. Në të vërtetë, ligji vlen në mënyrë të barabartë për të gjithë. Aleksandri mund të jetë shoqëruar me kushëririn tim të parë sa të dojë, ligji vlen njëjtë për të gjithë ose ndonjë shef policie ka mundur të jetë në foto, bashkëpunëtor i Zaevit, Spasovskit dhe kujtdo, ligji zbatohet njësoj për të gjithë”, deklaroi dje Zoran Zaev. VMRO-DPMNE ndërkohë kërkon nga Zaevi të tregojë nëse fugoni ku është gjetur marijuana – është pronësi e kompanisë- partnere të familjes Zaev.
“Askush nuk tha që është pronësi e familjes Zaev. Ne pyetëm dhe përsëri pyesim – a është fugoni me targa greke pronësi e kompanisë që është në marrëdhënie partneriteti me kompanitë e Trajçe dhe Boban Zaevit? Për këtë duhet të japë përgjigje Trajçe Zaevi”, deklaroi Dimçe Arsovski- zëdhënës i VMRO DPMNE-së. Nga ana tjetër, Prokuroria nuk e zbulon pronarin e fugonit. “Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rastit dhe fshehtësinë e hetimit, Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për momentin, në interes të procedurës, s’mund të zbardh më shumë hollësira. Prokurori kompetent po i ndërmerr të gjitha veprimet e domosdoshme për zbardhjen e rastit edhe për zgjerimin eventual të procedurës hetimore dhe ndaj personave të tjerë të përfshirë”, thonë nga PTHP. Në mesin e gjashtë personave të arrestuar për kontrabandë të drogës në aksionin e policisë maqedonase dhe DEA-s amerikane, është edhe eprori i policisë së Prilepit, Kire Spirkoski.
Përndryshe, aksioni që u zhvillua disa muaj e zbardhi pikërisht Spasovski dhe kumtoi se është në koordinim me agjencinë amerikane DEA. Nga ambasada amerikane në Shkup vërtetuan se kanë punuar bashkë me MPB-në dhe kanë dhënë mbështetje teknike për aksionin. Kompania “Mecidal 420”, emrin e së cilës opozita e ka lidhur me rastin, është regjistruar më 25 shtator të vitit 2017. Themelues janë Toni Gashkovski dhe Petar Prçkov nga Manastiri dhe shtetasi serb Sllagjan Ikonqiq. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, vetëm një kompani e cila është regjistruar për mbikëqyrjen e kanabisit medicinal e ka selinë në Prilep. Në regjistër ka edhe kompani tjera me seli në Manastir, të cilat merren me kanabisin medicinal, si dhe kompani të cilat nuk janë me seli në Prilep, por lokacioni për kultivimin e kanabisit është në Prilep.
NGA VJEN MARIJUANA?
Nga MPB thonë se ende po hetohet nëse marijuana vjen nga kompanitë në të cilën ishte kryer kontrolli. “Pas urdhrit të prokurorit publik dhe marrjes së urdhrit nga Gjykatësi i procedurës paraprake në bashkëpunim me Komisionin për vlerësimin e përmbushjes së kushteve për prodhimin e kanabisit medicinal, ishte kryer kontroll edhe në dy fabrika për prodhimin e kanabisit medicinal në Prilep dhe Manastir, dhe në vijim është edhe ekzaminimi nga ky kontroll, e cila do të tregon nëse ka pasur lëshime, gjegjësisht nëse droga e kapur rrjedh nga njëra nga këto fabrika”, thonë nga MPB.
Në dhjetor ishte vjedhur marijuanë në pronësi të dy kompanive të licencuara për prodhimin e kanabisit medicinal. Në thelb, ishte hera e parë që policia po kërkonte marijuanë të prodhuar në mënyrë të ligjshme në vend, ndërsa vjedhësit akuzohen për tregti të paligjshme me drogë. Më 7 dhjetor, ishte zbatuar aksioni në Haraçinë pasi në fshatin Josifovë, e cila gjendet në Komunën e Vallandovës, ishin vjedhur afër 2 ton marijuanë në pronësi të kompanisë “Herb Industri”. Në aksion ishin gjetur vetëm 231 kilogram marijuanë, ndërsa më pas – opinioni mori vesh se pjesa tjetër kishte përfunduar në Kosovë. Së paku, ashtu thanë zyrtarët e lartë të MPB-së. Në të njëjtën ditë në një shtëpi vikendi në fshatin Vrobec në afërsi të Krushevës, ishin gjetur rreth 60 kilogram marijuanë, për të cilën ekziston dyshimi, siç potencuan nga MPB, se janë marrë nga hapësirat e kompanisë “5 Lesters”. Pas këtij aksioni, në opinion u tha se njëri nga të dyshuarit është edhe familjarë i zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Nazim Bushi.
DEA E MBËSHTET LUFTËN ME NARKO-TREGTINË
Vazhdojmë me mbështetjen për Maqedoninë e Veriut në detektimin, parandalimin dhe likuidimin e organizatave të cilat merren me tregtimin me drogë, deklaruan mbrëmë për MIA-n nga Shërbimi amerikan për luftë kundër drogës (DEA). DEA konfirmoi se nëpunësit e agjencisë janë përfshirë në hetimin e MPB-së dhe Prokurorisë Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit rreth konfiskimit të 200 kilogramëve marihuanë të premten nga ana e policisë. Vlera e tregut të substancës narkotike të konfiskuar në tregun e zi është gati një milion dollarë. Nga DEA nuk dëshironin të komentojnë për rrjedhën e hetimin dhe personat e dyshuar të përfshirë në organizimin e prodhimtarisë së paautorizuar dhe lëshimit në qarkullim të drogave narkotike. Aksioni policor ishte kryer të premten pasdite kur në rrugën Prile-Rosoman ekipet policore e kapën makinën “Audi A8”, në të cilin ishin një funksionar i lartë policor nga Prilepi, dhe një person tjetër. Menjëherë pastaj është ndalur automjeti udhëtues “Daçija daster”, në të cilin ishin edhe dy persona tjerë, ndërsa pas tyre edhe automjeti “furgon”, në të cilin ishte marihuana e paketuar në 40 kuti të kartonit në të cilat kishte 400 paketime të polietilenit. DEA është shërbim në suaza të Ministrisë amerikane të Drejtësisë. (koha.mk)