Sipas ligjeve në fuqi, transferi i të dënuarve me burg të përjetshëm për rastin e “Kumanovës” është i mundshëm, por këtë e pengon mungesa e vendimit përfundimtar dhe të plotfuqishëm gjyqësor. Autoritetet e Kosovës thonë se nuk kanë ndalur aspak kontaktin me autoritetet e Maqedonisë për këtë çështje dhe se presin vendimin e plotfuqishëm për të bërë kërkesë për ekstradim. Ndërkohë, nga Ministria e Drejtësisë nuk japin detaje për kontaktet me palën kosovare, ndërsa avokati Naser Raufi thotë se presin vendimin e Gjykatës Supreme, ndërsa për transferin e të dënuarve në Kosovë, beson se do të ndodh shpejtë
Destan JONUZI
Shkup, 14 tetor – Ministria e Drejtësisë së Kosovës dhe Institucionet gjegjëse atje nuk kanë ndaluar për asnjë moment kontaktin me Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut për transferin e të dënuarve me burg të përjetshëm në rastin “Lagja e Trimave” në Kosovë. Problemi për transfer për momentin është se vendimi gjyqësor ende nuk është i plotfuqishëm, ndërsa sipas autoriteteve kosovare vullnet politik për këtë çështje ka në dyja vendet. Gazeta KOHA mëson se para gjashtë muaj, për këtë çështje ka pas takim të nivelit të lartë mes dy shteteve, ndërkohë që Ministri i Drejtësisë së Kosovës, takimin e fundit për këtë çështje e ka pasur me ish-ministren e drejtësisë Renata Deskoska.
Selim Selimi, ministër i Drejtësisë i Kosovës në paraqitjen e tij të fundit në mediat e Kosovës,, duke folur për këtë çështje ka deklaruar se prej kur ka marrë detyrën e të parit në këtë dikaster, një prej takimeve të para që ka realizuar ka qenë me drejtuesit e Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë. “Një prej takimeve të para që kam pas, pasi kam marrë detyrën e ministrit, ka qenë me ish-ministren e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Renata Deskoaska dhe kemi diskutuar për këtë temë. Tash është ministri i ri, Bojan Mariçiq, që e njoh nga puna e tij më herët te Zaevi dhe Pendarovski. Unë mendoj se hapësirë juridike për transfer të të burgosurve ka. Pra duhet me bë një marrëveshje me Maqedoninë e Veriut, dhe me të si garanci të jetë kthimin i tyre. Ata ende nuk e kanë vendimin e formës së prerë, dhe unë besojë se instancat më të larta do të vendosin në favor të tyre”, ka deklaruar Selim Selimi, ministër i Drejtësisë së Kosovës.
Ai është i mendimit se veprat penale që janë ngarkuar në shkallë të parë nuk përkojnë me realitetin, siç është aktakuza “terrorizëm”. “Ky është mendimi im personal. Sido që të jetë, shpresojë se vendimi final do të jetë lirues për ata djem të Kosovës që janë atje. Cilido të jetë dënimi, edhe në skenarin më të keq – nëse vërtetohet ky dënim, shteti i Kosovës do të mundohet që për shkak të rehabilitimit të të burgosurve gjë që e bënë edhe me shumë shtete tjera, këto të dënuar ta vuajnë dënimin në vendlindje. Mendojmë se afërsia me familje u ndihmon në risocializim. Ky është edhe qëllimi i shërbimit tonë korrektues, e kemi qëllim institucional. Unë nuk dua të paragjykojë nëse do të dënohen, por ky është skenari më i keq. Nëse vendimi është të jenë të lirë, atëherë këta të dënuar kthehen në shtëpitë e tyre. Nëse skenari është më i keq dhe vërtetohet ky dënim, atëherë ne do ti bëjmë të gjitha tentimet siç i bëjmë edhe me shtetet tjera për transferin e tyre dhe vuajtjen e dënimit në vendlindje”, thekson Selimi. Jo vetëm për Rastin “Kumanova”, shprehet më tej ai, por për çdo qytetarë tjetër të Kosovës, që është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë në Maqedoni, ne mendojmë se do ti ndihmonte që dënimin ta vuaj në vendlindje, po ashtu siç do ti ndihmonte një qytetari të Maqedonisë që vuan dënimin në Kosovë të jetë afër familjes në vendlindje.
Në anën tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj thotë se ka vullnet politik në dy vendet që të bëhet transferi i të dënuarve kosovar në rastin “Kumanova” në Kosovë. “Në rast se ka vullnet politik në të dyja anët, e siç duket ka, atëherë kjo punë është plotësisht e zgjidhshme. Me sa di unë, ka pas kontakte të nivelit të lartë për këtë temë. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë pasur një shqetësim për shkak zgjedhjeve, për shkak të situatës me ndryshimin e emrit të shtetit, por e kanë pas edhe një situatë që është shumë e komplikuar e që ka të bëjë me të dënuarit shqiptar në rastin ‘Kumanova’. Në rast se në të ardhmen do të ketë një marrëveshje mes dy shteteve që besojë se do të ketë, ne kemi Ligjin për pjesëmarrje në luftëra të huaja që i sanksionon dhe dënon, dhe në bazë të tij, ne u kemi thënë zyrtarëve të Maqedonisë që do të veprohet. Të na dorëzojnë këta të dënuar se ne i dënojmë vet këtu. Por problemi te Maqedonia është më i madh, për arsye se këta të dënuar janë dënuar për krim masiv dhe terrorizëm. Dënimi është shumë i madh! Derisa të kthehen ata djem, ne s’kemi me u kursi aspak”, është shprehur Haradinaj.
Avokati mbrojtës i të akuzuarve në rastin “Lagjja e Trimave”, Naser Raufi në prononcim për gazetën KOHA, thotë se dënimi për grupin e “Kumanovës” duhet të jetë njëherë i plotfuqishëm dhe më pas të mund të bëhet transferi. “Ne jemi në stadin e fundit të ankesës në Gjykatën Supreme, pa u bërë ky vendim i plotfuqishëm – nuk e lejon ligji transferin. Kjo është parakusht. Maqedonia dhe Kosova kanë marrëveshje për ekstradim dhe se transferi mund të bëhet. Parakusht kryesor për transfer mbetet dakordësia e palës kosovare se i pranojnë këta të dënuar në Maqedoni që të vuajnë dënimin në vendlindje. Ministrat duhet ti kryejnë procedurat burokratike mes tyre. Maqedonia mezi pret një kërkesë të tillë për transfer. Jo vetëm që besojë, por pasi që vendimi të jetë i plotfuqishëm, do të bëhet transferi, jam i sigurt në këtë”, deklaroi Raufi.
Nga Ministria e Drejtësisë nuk japin detaje për kontaktet që kanë me palën kosovare, por theksojnë se veprojnë në suaza të kornizave të ligjit. Ndërkohë, edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut me Programin e ri 2020-2024 ka paraparë që me reformat në sistemin gjyqësor, të bëhet edhe rihetimi i 5 për qind të rasteve gjyqësore, të cilat konsiderohen se janë të montuara politikisht. Në opinion një nga rastet që konsiderohet si i montuar politikisht nga regjimi i Gruveskit, llogaritet edhe rasti i Kumanovës.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015. Për vepër “terrorizëm” ishin akuzuar gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 me burg të përjetshëm. Të dënuarit me burgim të përjetshëm janë: Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra dhe Fejzulla Rushitovski. Trembëdhjetë janë dënuar me nga 40 vjet burg: Esat Kafegjolli, Adrian Bujari, Shefqet Hallaqi, Betim Kabashi, Genti Sefaj, Enver Hoxha-Klajn, Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari dhe Fatmir Recica. Përderisa gjashtë prej 37 të akuzuarve janë dënuar me nga 20 vjet burg. Të dënuarit me nga 20 vjet burg janë: Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdija, Lendrit Rustemaj, Mirsad Qerimi dhe Qenan Hiseini. Kurse të akuzuarit e tjerët janë dënuar me nga 18 vjet e më poshtë. Ragmi Latifi është dënuar me 18 vjet heqje lirie, Irfan Lutfiu me 14 vjet, Arsim Bajrami me 13, Musa Pajaziti me 12, Seadudin Abdullahu 14, Elham Arifi me 13 dhe Ebib Alimi me 12 vjet burg. Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës, të cilët edhe llogariten si organizatorë të ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Gjykata Penale i ka liruar si të pafajshëm Ibrahim Murtezanin, Besnik Bajramin, Fazli Osmanin dhe Besnik Ajdinin. (koha.mk)