Dellçevë, 6 qershor – Një person nga Dellçeva i cili jeton dhe punon në Shkup është rasti i dytë me Kovid-19 në Dellçevë. Informacioni zyrtarisht ishte konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë, në statistikën e së cilës sot zyrtarisht ishte cituar edhe pacienti nga Dellçeva. Nga Shtëpia shëndetësore në Dellçevë thonë se nuk ka vend për panikë, sepse bëhet fjalë për person i cili kohë të gjatë qëndron në Shkup.
“Bëhet fjalë për person i cili për shkak të punës jeton në Shkup dhe atje është bërë testi, atje është publikuar lajmi se personi është pozitiv me koronavirus. Personi sipas informatave tona nuk ka simptoma të sëmundjes, për momentin ndjehet mirë, por sipas parashikimeve do ta kalojë izolimin disa ditësh”, thonë nga shtëpia shëndetësore e Dellçevës.
Ky është rasti i dytë pozitiv me Kovid-19 në këtë rajon. Pacienti i parë i cili në dy testet e fundit ishte negativ, por vdiq, infektimin e mori në Klinikën për sëmundje onkologjike në Shkup, ndërsa pacienti i dytë i cili sot është regjistruar dhe udhëhiqet si rast i dytë pozitiv në Dellçevë, me siguri, siç shtojnë kompetentët, është infektuar në Shkup.
Në komunat tjera të cilat gravitojnë rreth komunës së Dellçevës, edhe një rast këto ditë ishte regjistruar në Berovë. Sipas informatave të mjekëve të atjeshëm, pacienti ka përmirësime dhe pritet shërimi i tij.