Omer XHAFERI
Shkup, 31 mars – Ekspertizat e kryera mbi vrasësin Boban Iliqi nga neuropsikiatri Branisllav Stefanovski dhe psikiatrja Zoja Babinkostova, që të dy pa licencë valide, nuk janë të qëndrueshme dhe të njëjtat nuk duhet të merren si provë relevante, derisa ekspertizat duhet të përsëriten nga e para, shkruan gazeta KOHA.
Ish-gjykatësi, tashmë avokat, Sejfulla Osmani, për gazetën KOHA, thotë se paralelisht me materialet e ekspertizave të kryera, në parim – Prokuroria, por edhe vetë avokatët janë të obliguar të parashtrojë kopje nga licenca e personit ekspert, në këtë rast të neuropsikiatrit dhe psikiatrit. Me vetë ekzemplarin nga mendimi profesional i personit ekspert, siç thekson Osmani, doemos duhet të dorëzohet edhe kopje e licencës valide.
“Qëndrimin e Prokurorisë Publike se Institucioni nga ku vjen eksperti duhet të ketë licencë dhe jo vet eksperti, e vlerësoj si një tendencë për të dalë nga kjo situatë. Ligjërisht, kur një institucion merr këso lloj licence pune, ata kanë të drejtën ekspertizës në bazë të licencave që i kanë personat ekspert. Mendoj se nuk janë të qëndrueshme ekspertizat e kryera nga Prokuroria e Kumanovës. Në këtë rast, minimumi që duhet bërë është ekspertiza të përsëritet dhe e njëjta duhet të realizohet nga persona që janë të autorizuar, me licenca valide. Vlerësoj se shkeljet procedurale janë bërë edhe në këtë drejtim”, thotë avokati Osmani.
Duke sqaruar procedurën se si palët duhet t’i prezantojnë provat nga ekspertizat e kryera, ish gjykatësi Sejfulla Osmani tregon përvojën e tij si avokat, ku mes tjerash thekson se kur ata dorëzojnë ekspertiza të caktuar, Gjykata i obligon që personat ekspertë, të cilët e kanë realizuar kontrollin, të dorëzojnë edhe licencën. Nga ana tjetër, ai vlerëson se licenca e institucioneve apo organeve që merren me ekspertiza mund të mos jetë edhe aq relevante, pasi që personat ekspertë janë ata që e kryejnë gjithë procedurën.
Për dyshimet dhe shkeljet e shumta procedurale në procesin gjyqësor për Almir Aliun, avokati Asmir Alispahiq ka folur nga fillimi i procesit gjyqësor, megjithatë ai thekson se zbulimi i fakteve të reja se ekspertizat kundrejt të akuzuarit janë kryer pa licenca valide, paraqesin rrethana të reja të cilat që doemos duhet të merren parasysh nga Gjykata.
“Prokuroria nuk ka parashtruar kopje nga licencat e personave ekspertë gjatë kohës kur i prezantuara këto dëshmi në Gjykatën e Kumanovës. Në pyetjet tona drejtuar personave ekspertë se vallë ju keni licenca për kryerjen e këtyre ekspertizave, ato përgjigjen me ‘Po’, megjithatë të njëjtat i kemi harruar dhe nuk mbajnë mend se a janë vazhduar ose jo. Kjo është theksuar në njërin prej procesverbaleve të seancave gjyqësore. Ne kemi kundërshtuar dhe kemi kërkuar që këto licenca të na dorëzohen, mirëpo të njëjtat nuk na u dhanë dhe u heshtë nga ana e Gjykatës dhe Prokurorisë së Kumanovës. Këto dëshmi nuk duhet të merren si relevante pasi që nuk kanë vlerë provave, pas zbulimit të këtij skandali”, thotë avokati Alispahiq.
Pala mbrojtëse e familjes Aliu, në fjalët përfundimtare të cilat pritet të jepen më 2 prill (e hënë) do të kërkojë nga Gjykata që dëshmitë e prezantuara nga ekspertizat (neuropsikiatrike, psikiatrike dhe ekspertiza e komunikacionit) të mos merren parasysh dhe të njëjtave të mos u jepet vlerë e provës. “Kjo, sepse për momentin kemi një vakum ligjor rreth legalitet të atyre dëshmive”, tha Alispahiq.
Ndryshe, një ditë më parë, gazeta KOHA raportoi se përveç neuropsikiatrit Branisllav Stefanovski, licencë për punë nuk kishte edhe psikiatrja Zoja Babinkostova, e angazhuar për kontroll psikik ndaj vrasësit Boban Iliq. Në ndërkohë, Prokuroria Publike vazhdon të heshtë për shkeljet e shumta procedurale, falsifikimin e ekspertizave të psikiatrëve dhe një varg parregullsish tjera që kanë shoqëruar nga fillimi vrasjen e vogëlushit 4-vjeçar, Almir Aliu.
PËRGJIGJA PAKUPTIM E GJYKATËS SË KUMANOVËS
“Të nderuar, as në këtë dhe në asnjë rast tjerë, gjykata nuk bën kontroll të licencave të ekspertëve ligjor, vetëm nëse nuk ka ankesë në këtë drejtim”, thonë shkurt nga Gjykata e Kumanovës në pyetjen tonë se pse, sipas procedurave ligjore, Gjykata nuk u ka kërkuar licencën ekspertëve që tani dolën të mos kenë pasur licencë valide.
PROKURORIA E KUMANOVËS VAZHDON LOJËN, ILIQ MBETET NË LIRI
Loja me paraburgimin e vrasësit Boban Iliq, vazhdon. Pas rikualifikimit të veprës penale “vrasje” në veprën penale “aksident me pasoja vdekje”, Gjykata e Kumanovës javë më parë dha urdhër që i akuzuari të lirohet nga paraburgimi. Kështu që, Prokuroria e Kumanovës, duke e ditur se vrasësi Boban Iliq ka qëndruar një vit e disa muaj në burg dhe se ndaj të njëjtit nuk mund të caktohet masë tjetër e paraburgimit, me qëllim hutimin e opinionit, ka parashtruar ankesë deri te Gjykata e Apelit në Shkup për vazhdim të paraburgimit vrasësit Iliq.
Këshilli pesëanëtarësh i Gjykatës së Apelit, pas diskutimit dhe shqyrtimit të kësaj ankese, ka konstatuar se ligjërisht nuk ekzistojnë rrethana që vrasësi i Almirit, Boban Iliqi të rikthehet në paraburgim dhe më këtë rast, e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Kumanovës për lirimin nga paraburgimi.
Shkeljet e shumta të procedurave ligjore, mashtrimi me ekspertizat e personave ekspertë, mos përfilla e provave të prezantuara nga pala mbrojtëse, rikualifikimi i paqartë aktakuzës së re, dhënia e lejes që vetura “Mercedes” të dalë në shitje e kështu me radhë, nuk ishin të mjaftueshme, por ajo shkoi deri në atë shkallë sa të luaj me ndjenjat e familjarëve dhe opinionit dhe ankesën e pabazë për vazhdimin e paraburgimit ndaj vrasësit Boban Iliq, kohë më parë ta dorëzojë në Gjykatën e Apelit në Shkup. (koha.mk)