Shkup, 6 mars – Procesi gjyqësor për vrasjen e Almir Aliut, të hënën ka filluar nga e para. Për të dytën herë me radhë, për shkak të rifillimit të rastit, para Trupit gjykues deklaratën e tij e ka dhënë Bojan Iliq, vëllai i vrasësit Boban Iliq dhe e dashura e tij, Tanja Dimovska, shkruan gazeta KOHA. Të dy këto dëshmitarë, së bashku me vrasësin Boban Iliq, mbrëmjen tragjike të qershorit të vitit 2016, ka qenë në veturën e tipit “Mercedes”. Deklaratat kundërthënëse e kanë shoqëruar rifillimin e lëndës për rastin Almir Aliu. Kësisoj, deklaratat e vëllait dhe të dashurës të të akuzuarit për “vrasje”, Boban Iliq, nuk janë përputhur. Përderisa dëshmitari Bojan Iliq deklaroi se Sedat Aliu, ka qenë personi i cili ka hapur derën e veturës “Mercedes” dhe më pas e ka goditur atë, dëshmitarja Tanja Dimovska ka thënë se lloji automatik i veturës nuk e mundëson që dikush ta hapë derën nga jashtë, nëse paraprakisht e njëjta nuk hapet nga brenda. Ndryshe, kryeprokurori Lubomir Jovevski, duke u përgjigjur në një pyetje të gazetës KOHA, të hënën tha se vendimi për rikualifikim të aktakuzës në rastin e Almir Aliut, nga “vrasje me paramendim” në “aksident me pasojë vdekje” është miratuar në kohë kur me Prokurorinë Publike ka udhëhequr ushtruesja e detyrës, Liljana Spasovska. Sipas tij, vendimi është marrë me shumicë votash të prokurorëve dhe ndaj të njëjtit nuk nevojitet nënshkrimi. Me këtë deklaratë, kryeprokurori Jovevksi e ka demantuar vetveten, pasi ditë më parë – para deputetëve në Parlament, tha se vendimi për rikualifikim të veprës penale “vrasje” në një vepër për kundërvajtje, në rastin e Almir Aliut, është marrë në kohën e Marko Zvërlevskit. Rikualifikimi i kësaj vepre, ndonëse ende nuk është bërë publike, sipas organizatorëve të protestës qytetare të mbajtur ditë më parë para Prokurorisë Publike në Shkup, ka për qëllim që prokurorja e rastit Suzana Kusigerska, para përfundimit të këtij procesi gjyqësor, të dorëzojë vendimin e miratuar dhe i njëjti të gjykohet për aksident trafiku dhe jo për vrasje me paramendim. (koha.mk)