Shkup, 19 prill – Gjykimi për lëndën e PSP-së “Dhunë në Qendër” është ndërprerë dhe është ricaktuar për më 1 qershor, për shkak të pamundësisë që kryetari i Gjykatës Penale, Ivan Xholev menjëherë të vendosë për kërkesën për përjashtimin e gjykatësit të gjykatës në lëndë, Dushan Josifov.
Kërkesën në fillim të seancës gjyqësore e parashtroi mbrojtja e të akuzuarve, për shkak të deklaratës së prokurores publike Katica Janeva se disa gjykatës të caktuar janë përfshirë në bisedat e përgjuara.
Prokurorja Fatime Fetai, kërkoi që të sillet vendim për refuzimin e kërkesës si e pabazë, sepse, siç tha, për kryetarin e gjykatës dhe zëvendësin e tij nuk mund të kërkohet përjashtim përderisa nuk janë gjykatës në proces. Kërkoi refuzim edhe të kërkesës për përjashtim të u.d. kryetar i Apelit dhe zëvendësit të tij sepse, tha, lënda nuk gjendet në fazën e vendimmarrjes para Gjykatës së Apelit.
Në seancën gjyqësore ku dëshmi duhej të jepnin dy dëshmitarë, morën pjesë të gjithë të akuzuarit, mbrojtësit e tyre me përjashtim të Millan Andonovit dhe Mitko Peçkov, të cilët janë avokatët e Nikolla Gruevskit dhe Mile Janakieskit.
Të akuzuarit në këtë rast, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, deputetja e VMRO-DPMNE-së Daniella Rangellova si edhe nëntë persona të tjerë para Gjykatës u prononcuan se nuk ndjehen fajtorë.
Në seancat paraprake për këtë lëndë, fajin e pranuan i akuzuari i katërt Tomisllav Llazarov dhe i akuzuari i pestë Jordan Ristevski dhe morën dënime me kusht.
Të akuzuarit në lëndën “Dhunë në Qendër” ngarkohen për nxitje të dhunës që ndodhi gjatë protestave para komunës Qendër në qershor të vitit 2013.