Imagjinoni përmbaruesit tek dera juaj ku ju thonë se prona s’është e juaja, sepse është vënë nën hipotekë para se ta blini. Ndërkohë askujt nuk i intereson fakti që kur e keni blerë atë nuk ka pasur hipotekë dhe ketë e keni të vërtetuar nga institucionet e shtetit. Esenca e rastit Alsat, me gjithë pyetjet që ngrihen, është se për shkak të një gabimi të një institucioni shtetëror, një institucion tjetër shtetëror detyron një subjekt të pafajshëm, në këtë rast një kompani, por siç dëgjojmë paska dhe raste të tjera të tilla, ku dëmtohen duke iu vihet prona në rrezik
Nga Nazim RASHIDI
Si i punësuar në Televizionin Alsat, këto ditë kam marrë gjithë ato pyetje se çfarë po ndodh me pronën e televizionit? A është Televizioni nën sulm? A janë gazetarët nën presion? Por më shumë që më bën përshtypje është dyshimi se mos ndoshta edhe vetë televizioni ka “faj” në këtë histori. Më bën përshtypje sepse si duket jetojmë në një kohë ku “dallaverja” është normë, e madje edhe njerëz nga mediat, pranë tyre, apo dhe të largët, të zakonshëm ngrenë dyshime të dyanshme.
Dakord. Ky është realiteti. Por ja disa të dhëna, për aq sa dimë ne të gjithë deri më tani dhe pse ky rast shkon pastaj përtej televizionit Alsat.
VEVE Group, është kompania që ka Televizionin Alsat, e cila ka blerë pronë, hapësira në qendrën tregtare “Mavrovasja”. Këtë e ka bërë 16 vjet më parë. Kur e ka blerë të gjitha organet e shtetit, përgjegjëse për dëshmitë e pronësisë, kanë konfirmuar dhe për këtë ka dokumente, se prona ka qenë pa ngarkesa, ose pa hipoteka. Pra prona është blerë në vitin 2006 dhe deri më vitin 2011 nuk ka pasur të shënuar asnjë hipotekë. Sërish, këtë e kanë konfirmuar vetë organet e shtetit, si kadastra ashtu edhe Gjykata.
Problemi fillon kur Televizionit Alsat i shënohet hipoteka, e harruar që nga viti 1993. Problemi shkon më tej kur po të njëjtat institucione që kanë siguruar pastërtinë e pronës, në dokumente zyrtare, e sidomos gjykata që tani vendos kundër vetes. Pas disa proceseve gjyqësore Gjykata e Apelit në Shkup më 14 prill të këtij viti, rinkonfirmon një vendim të mëparshëm që ishte hedhur poshtë një herë, e që thoshte se prona e televizionit mund të hidhej në shitje publike. Aktgjykimi i shkallës së dytë thekson rëndësinë e besimit në librat publik, dhe në këtë kontekst thekson se ekziston një hipotekë që nga viti 1993 “Përmbaruesi ka pasur besim në librat publik, kur në listën pronës të përmendur ka shënimin e hipotekës më 25 korrik 2013… kështu që gjykata duhet të ketë besim në librat publik”, thuhet nga Gjykata e Apelit në Shkup.
Por VEVE Group, apo TV Alsat, apo dhe më e tmerrshmja, Gjykata që vite më parë kishte lëshuar dokumente se prona është e pastër, a nuk kishte besim po te këta libra publik? Ky është absurdi. Janë të njëjtat institucione që një herë kanë dhënë një informacion, e pastaj një tjetër dhe në fund del i dëmtuar një palë krejt tjetër. Borxhliu i vërtetë, i cili e kishte lënë peng pronën, pasi kishte falimentuar, vite me radhë zhvillonte procedura gjyqësore prandaj ndërkohë kreditori kryesor bëhet shteti, pra Ministria e Financave.
Në labirintet e shtetit kjo hipotekë nuk shënohet dhe tani befas shteti kërkon dëmshpërblim nga një subjekt krejt tjetër që s’ka asnjë lidhje me borxhliun e parë, kërkohet televizioni të marrë barrën e borxhliut. Kjo s’është parë asgjëkundi. Nga ajo që shihet, çështja është se institucionet më së paku kanë bërë gabime, ndërkohë nuk mbajnë përgjegjësi. Ashtu si qëndrojnë punët tani del se prona që VEVE Group, ose TV Alsat, e bleu si të pastër, 16 vite më parë, me konfirmim nga shteti, tani do të ofrohet në shitje publike, sepse shteti ka gjetur një hipotekë të harruar. TV Alsat do të ketë mundësinë të ofrojë ta blejë pronën e tij për herë të dytë, gjë që është absurde në vetvete. Por shkohet edhe më tej, tani me çmim më të lartë. Jo vetëm për shkak të rritjes së vlerës së pasurive të patundshme, por edhe sepse hapësira është në gjendje të mirë, si rezultat i investimit të rregullt të televizionit në ambientet që shteti tani thotë se nuk i ka pronë. Këtë situatë kaq të pa lakmueshme e konfirmojnë edhe vetë përmbaruesit kur ndaj kundërshtimeve të TV Alsat kundër shitjes publike, përgjigjen para gjykatës: “Personi i tretë, (pra televizioni) i cili tani është pronar i pronës, nuk është “borxhli” në këtë procedurë, por është i detyruar të pësojë dëmin nga procedura, për shkak se është pronar i pronës, e cila është lënë peng në favor të dikujt tjetër”.
Po ku janë këtu institucionet që e kanë bërë këtë ngatërresë, pra shteti, të marrë përgjegjësinë? Rasti prandaj shkon përtej Televizionit Alsat, sepse imagjinoni që pronën që e keni blerë, me kredi e me përpjekje dhe e paguani me vite, pasi të keni marrë certifikata pronësie që tregojnë pastërtinë e saj nga kadastra, pra prona nuk ka hipotekë, dhe befas më vonë pas disa vitesh të dalë se prona nuk është e juaja.
Imagjinoni përmbaruesit tek dera juaj ku ju thonë se prona s’është e juaja sepse është vënë nën hipotekë para se ta blini. Ndërkohë askujt nuk i intereson fakti që kur e keni blerë atë nuk ka pasur hipotekë dhe ketë e keni të vërtetuar nga institucionet e shtetit. Esenca e rastit me gjithë pyetjet që ngrihen është se për shkak të një gabimi të një institucioni shtetëror, një institucion tjetër shtetëror detyron një subjekt të pafajshëm, në këtë rast një kompani, por siç dëgjojmë paska dhe raste të tjera të tilla, ku dëmtohen duke iu vihet prona në rrezik.
Por a duam të jetojmë në një shtet të tillë? Kur bëhen pyetjet si është e vërteta? A duhet menjëherë të ngrihet dyshimi i përgjithshëm? Rasti është një pasqyrë e betejës konstante se gjërat nuk shkojnë mirë dhe se institucionet, ku po ashtu ka njerëz, që bëjnë gabime, duhet t’i pranojnë ato. A duam të jetojmë në një vend ku gjykata thotë, ankohu në procedurë tjetër edhe pse je pa faj? Rasti prandaj është flagrant se cenon esencën e lirive të njeriut, e për të cilat shteti që duhet t’i mbrojë, nuk e bën atë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)