Shkup, 22 maj – Ndriçimi i rastit “Alfa” mund të jetë kusht që opozita shqiptare të votojë projektligjin për prokurorinë. Dy partitë shqiptare nuk e pohojnë por as nuk e mohojnë se ky do të jetë njëri nga kushtet e tyre. Por, Kryeministri thotë se nuk e pret një gjë të tillë, raporton TV21, transmeton Koha.mk
“Ne kishim takim me opozitën shqiptare, me z.Ziadin Sela dhe z.Bilall Kasami. Realisht kemi folur për të gjitha detajet për ligjin, kurse kushtëzime me procese gjyqësore, realisht askush nuk e kërkon, sepse nuk është nën Qeverinë e as nën Kuvendin. Ndoshta përmes kësaj dëshirojnë të përçojnë mesazh deri tek sistemi gjyqësor për ndonjë kërkesë për drejtësi”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Deputeti i “Besës” Fadil Zendeli nuk e përdorë termin “kushtëzim” megjithatë pohon se në takimet e tij me Kryeministrin do ta ngre edhe çështjen “Alfa”.
“Është çështje bisedimesh, ne i kemi kushtet tona edhe më herët të parashtruara rreth ligjit për Prokurorinë Publike dhe në kontekst të kësaj do ta trajtojmë edhe çështjen “Alfa””, u shpreh Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.
Rastit “Alfa” nuk është i vetëm, sepse ka edhe raste të tjera të montuara që kërkojnë zbardhje thotë deputeti i “Aleancës për Shqiptarët” Syrija Rashidi, megjithatë shton se në organet e partisë nuk kanë biseduar për ndonjë kushtëzim të ligjit për prokurorinë.
“Ne presim se cili do të jetë versioni përfundimtar pas bisedave dhe vërejtjeve që i kemi dhënë ne, sigurisht edhe partitë e tjera lidhur me përmbajtjen e propozimligjit për Prokurorinë”, tha Surija Radhidi nga Aleanca për Shqiptarët.
Me qëndrim final “Aleanca” do të dalë pasi ta kenë marrë tekstin përfundimtar të projektligjit, thotë Rashidi duke thënë se ia kanë bërë të ditur si Kryeministrit po ashtu edhe Ministres së Drejtësisë se nuk do të mbështesin projektligj që për synim ka të mbrojë personat e inkriminuar.
Në prill të vitit 2010, për vrasjen afër fakultetit matematiko-natyror, me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi dhe Agim Islami nga Shkupi. Me nëntë vjet burg u dënua Ramadan Shaqiri si bashkëpunëtorë në krim, kurse me burg te përjetshëm u dënua edhe Almir Drpljani. (koha.mk)