Në Gjykatën Penale sot është kumtuar aktvendimi për lëndën “Treqind”, ku i akuzuar është ish-ndihmësi i ministrit për Punë të Brendshme Gjoko Popovski, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare lidhur me furnizimin publik të 300 automjeteve. Popovski është dënuar me nëntë vite burg.
Ish-ndihmësi Ministër për Punë të Brendshme Gjoko Popovski është dënuar për furnizimin e jashtëligjshëm të 300 automjeteve për MPB-në. Gjykatësja Dobrila Kacarska ka theksuar se Popovski ka qenë I detyruar të kujdeset për mjetet e MPB-së dhe është dashur që të sillet me nikoqirllëk e jo të shkaktojë dëm prej miliona denarësh. Këshilli vendosi se sipas veprës së kryer, ai dënohet me burg në kohëzgjatje prej nëntë viteve.
“Ai ka qenë i vetëdijshëm se veprimi i tij mund të shkaktojë dëme, por duke pranuar raportin është pajtuar për të shkaktuar këtë dëm. Nga biseda telefonike mes Gordana Jankulovskës dhe Kiril Bozhinovskit doli se procedura ka qenë e jashtëligjshme”
Pala mbrojtëse kishte kërkuar që Popovski të lirohet nga akuza. Ai para gjykatës ka theksuar se nuk është fajtor dhe se kjo procedurë i ka shkaktuar probleme shëndetësore. Ai ka shtuar se ka pasur kërcënime dhe shantazhe duke mos saktësuar se nga kush kanë ardhur. Ndryshe, Gjoko Popovski është akuzuar se me furnizim publik të 300 automjeteve për MPB-në ka dëmtuar buxhetin për mbi 450 mijë euro. Sipas PSP-së, Popovski në mënyrë të jashtëligjshme ka lidhur marrëveshje për shitblerje dhe mirëmbajtje të automjeteve.