Pas 8 javësh kampionat, vjen shkarkimi i parë i një trajneri në Serinë A. Ai është Massimo Rastelli, që nga dita e djeshme nuk është më trajner i skuadrës së Kaljarit. Lajmi është konfirmuar nga presidenti i klubit “sard” Tomasso Giulini, që ia ka komunikuar përmes telefonit largimit nga detyra trajnerit. Pas humbjes 3-2 ditën e diel ndaj Xhenoa, në fushën e tij, presidenti i klubit pat kërkuar 36 orë kohë për të vendosur për të ardhmen e trajnerit, që vinte pas katër humbjesh radhazi në kampionat. Këtë të diel, skuadra e Kaljarit do të luajë në stadiumin “Olimpico” ndaj Lacios dhe në stol mund të ulen Oddo ose Laçini, që janë në “pole pozition”, por dy emra të tjerë që qarkullojnë janë ato të Reja dhe Guidolin. Pa harruar faktin se skuadra mund të drejtohet ditën e diel nga trajneri i ekipit të të rinjve, Mario Beretta. Këtë sezon, skuadra e Kaljarit ka vetëm gjashtë pikë në kampionat (vendi i 14-të), dy fitore e gjashtë humbje, katër nga të cilat radhazi, që kanë sjellë edhe protestat e tifozerisë.