Raste të reja korruptive në FIFA

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) pritet të përballet me një tjetër tërmet korrupsioni.  Sipas asaj që publikon “Bloomberg”, hetues privatë të qeverisë së futbollit botëror kanë zbuluar raste të tjera korruptive, të cilat pritet të publikohen në javët e ardhshme dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë të tjera arrestime, si në Evropë, ashtu edhe në Amerikë.  Agjencia financiare bëri të ditur se hetimet janë kryer për llogari të studios ligjore “Quinn Emanuel Urquhart&Sullivan”, që bashkëpunon me FIFA-n që nga momenti kur Prokuroria e SHBA lëshoi urdhërarrestet e para për skandalin në muajin maj të vitit 2015, që fliste për një mashtrim prej më shumë se 180 milionë eurosh.  Nga ana e saj, FIFA ka konfirmuar faktin se hetimet në lidhje me korrupsionin po vazhdojnë dhe se ka informacione të reja. Por, për momentin, do të jenë 45 persona që në muajin tetor do të shfaqen në sallën e gjyqit, një pjesë e mirë e të cilëve kanë bërë pakt me organet e drejtësisë për një bashkëpunim me ta në këmbim të një uljeje të dënimit të tyre.