Japonezi Kazuyoschi Miura, përkundër kartës së identitetit, që tregon moshën e tij, 52 vjeç, nuk ka ndërmend të largohet nga bota e futbollit. Sulmuesi në fjalë, tani pjesë e Yokohama FC, është një njohës i vjetër i Serie A. Në sezonin 1994-1995, në fakt, ai mbante veshur fanellën e Genoa, me të cilën luajti 23 ndeshje dhe shënoi vetëm një gol, pikërisht në derbin kundër Sampdoria.
Kanë kaluar 24 vite dhe Kazuyoschi Miura është duke thyer çdo rekord të jetëgjatësisë në futbollin aktiv. Ai nuk e merr fare në konsideratë idenë e largimit nga ajo që tashmë është bërë bota e tij, futbolli. Në fakt, kur u intervistua nga gazeta franceze “L’Equipe”, ai deklaroi: “Të tërhiqem? Është trupi që vendos. Nëse ndihem i lodhur deri në atë pikë, sa nuk mund të stërvitem, atëherë është koha për t’i braktisur fushat e blerta.
Sot për sot nuk mund ta imagjinoj këtë, që t’u them lamtumirë 50 mijë njerëzve brenda një stadiumi. Nuk jam i interesuar të bëhem trajner, president, drejtor sportiv apo komentator televiziv. Dëshira ime e vetme është të jem futbollist. Deri në vdekje, nëse është e mundur. Kur të ndahem nga jeta, unë do të doja që njerëzit të thonë: vdiq futbollisti Kazu Miura, jo ish-lojtari”.