Pas paraqitjeve të tij mbresëlënëse, anësori i Kosovës, Milot Rashica, është zgjedhur lojtari më i mirë i Werder Bremenit për sezoni 2018/19. Lajmin e bëri të ditur faqja zyrtare e Werder Bremenit në Twitter, duke shkruar: “Njeriu raketë duke e pranuar çmimin për Lojtarin Më Të Mirë të Sezonit 2018/2019. Urime Milot Rashica”.
Kosovari i bëri gjithsej 26 paraqitje sezonin e kaluar në Bundesligë, prej të cilave 19 herë ishte në formacionin e parë, ndërsa shtatë herë të tjera u inkuadrua në lojë nga stoli. Ai i luajti mesatarisht 59 minuta për ndeshje, ndërsa SofaScore e vlerësoi me notë mesatare 7.12 për paraqitjet e këtij sezoni.
Gjatë gjithë ndeshjeve të sezonit, ai u ndëshkua me vetëm një karton të verdhë, ndërsa lojtarët ia bënin të paktën një ndërhyrje të parregullt për çdo ndeshje.
Rashica kontribuoi te skuadra e tij edhe me pesë asiste për bashkëlojtarët. Ai ishte i saktë në pasime 69 për qind mesatarisht, ndërsa i krijoi edhe shtatë raste shumë të mira për bashkëlojtarët e tij, të cilët megjithatë s’arritën t’i konkretizojnë ato në gola.
Sa i përket fazës së mbrojtjes, trajneri Florian Kohfeldt kishte bërë të ditur se në fillim nuk e aktivizonte atë në ndeshje për shkak se Rashica nuk ishte shumë i mirë në mbrojtje, megjithatë sipas SofaScore, ai nuk e bëri asnjë gabim që i kushtoi Bremenit me gol gjatë gjithë sezonit.
Milot Rashica e kishte shfrytëzuar llogarinë e tij në rrjetin social Instagram për ta komentuar këtë sezon të tij, në të cilën shkëlqeu veçanërisht në ndeshjet e zhvilluara gjatë vitit 2019.
“Ta mbyllësh sezonin me fitore është gjithmonë kënaqësi . Ishte një periudhë intensive dhe disa ndeshje të mrekullueshme. Megjithatë arritja deri në gjysmëfinale të Kupës dhe humbja e Evropës për vetëm një pikë më bën ta kujtoj këtë sezon me njërin sy të qeshur e me njërin të përlotur”, shkruan Rashica në llogarinë e tij në Instagram.
“Faleminderit të gjithë familjes #Werder për të gjithë mbështetjen e juaj të pabesueshme. Ju ishit të mrekullueshëm”.