Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës dhe Werder Bremenit, Milot Rashica i është bashkuar lutjeve për Iker Casillasin, i cili pësoi sulm në zemër gjatë një seance stërvitore me ekipin e tij Porto të mërkurën në mëngjes. Klubi portugez njoftoi se gjendja shëndetësore e portierit spanjoll është e mirë dhe stabile dhe se problemi i tij me zemër është rregulluar, shkruan Gazeta Express, përcjell gazeta Koha. Pasi e mori këtë lajm, Milot Rashica e publikoi një fotografi bashkë me Casillasin në llogarinë e tij në Instagram, bashkangjitur me disa emotikone për të bërë të ditur se po lutet për spanjollin.
Casillas iu nënshtrua një operacioni të vogël, një kateterizimi kardiak, menjëherë pasi u pranua në spital. Pasi gjendja ishte qetësuar dhe procedurat mjekësore ndaj tij ishin kryer, 37-vjeçari u kishte shkruar miqve më të afërt, duke u thënë shkurt: “Jam mirë”.
Casillas do t’i mbushë 38 vjet këtë muaj dhe ka qenë pjesë e Portos që prej vitit 2015 dhe sapo e ka rinovuar kontratën me klubin portugez për një sezon, me opsion për të paktën edhe një vit tjetër.
Në anën tjetër, edhe futbollisti kosovar, Milot Rashica, u detyrua të trajtohet nga stafi mjekësor dje, pasi e përfundoi para kohe seancën stërvitore për shkak të dhimbjeve që ndiente. Sipas mediave gjermane, ai kishte probleme në gjoks, me ç’rast u desh të transportohej me mini-veturë të golfit.
“Miloti është lënduar gjatë ngrohjes, por për momentin nuk mund të them diçka më shumë. Por, nuk është diçka serioze”, është shprehur trajneri i Werderit, Florian Kohfeldt. /