Një person mbeti i vdekur, dhjetëra u plagosën, dhe më shumë se 100 protestues u arrestuan të dielën në mbrëmje dhe herët të hënën në mëngjes, gjatë trazirave në rrugët e Minskut dhe qyteteve të tjera në Bjellorusi.
Forcat e sigurisë u përleshën me mbështetësit e opozitës, të cilët nuk i njohin rezultatet e zgjedhjeve, që u fituan nga presidenti aktual, Alyaksandr Lukashenko. Policia gjuajti me plumba gome dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në disa pjesë të Minskut.
Lukashenko, pas votimit në Minsk, tha se as ai dhe as qeveria nuk do të lejojë që Bjellorusia të futet në “kaos” apo “luftë civile” pas publikimit të rezultateve.
Të hënën, Komisioni Zgjedhor në Bjellorusi shpalli rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale, duke thënë se presidenti aktual Lukashenko ka fituar 80.23%, ndërsa rivalja e tij, Svyatlana Tsikhanouskaya, 9.9 % të votave, por kjo e fundit e bëri të qartë se nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve.
Zgjedhjet në Bjellorusi u mbajtën pas arrestimit të më shumë se 1,000 mbështetësve opozitarë, ndalimit të disa personave që të kandidojnë në këto zgjedhje si dhe pretendimeve për një komplot rus, i cili u tha se po tenton të nxitë paqëndrueshmëri në këtë shtet.
Lukashenko është në krye të Bjellorusisë që nga viti 1994.