Shkup, 26 shtator – Përjetimi i një aksidenti ose tragjedie është stresues në vetvete, dhe raportimi sensacional mbi to i ekspozon ata që janë prekur në një stress të zgjatur dhe ndikon në shëndetin e tyre mendor, si dhe në besimin në institucionet. Kur ndodh humbja e një personi të dashur, dhimbja emocionale e të dashurve është e madhe dhe kur rasti paraqitet përmes prizmit joetik të mediave, ai merr një dimension edhe më të ndjeshëm.
Humbja e një personi të dashur, sipas Natka Paçoskës, specialiste në psikologjinë mjekësore, shkakton një ndjenjë faji dhe përgjegjësie. Përveç kësaj, shumë shpesh, tek shumica e të afërmve të të ndjerit janë të pranishme ndjenja e zemërimit, ndjenjën e padrejtësisë, veçanërisht kur i ndjeri humb jetën në një aksident ose vdes papritur. Në të njëjtën kohë, thotë ajo, zemërimi është shumë më i fortë kur ka se ku të orinetohet, pra kur ka dikë që konsiderohet përgjegjës për vdekjen e të dashurit të tyre dhe zemërimi është në funksion për të kanalizuar ndjenjën e fortë të dhimbjes dhe pikëllimit për shkak të humbjes.
“Kur kemi informacion sensacional nga mediat, këto ndjenja theksohen fort dhe ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin mendor të njerëzve të afërt. Kur ato shfaqen në media, ose në rrjetet sociale, dhe regjistrimet ku shihet aksidenti, tragjedia që po ndodh në këtë moment, dhe dëgjohen tinguj, ulërima, zëra të ndryshëm, siç ishte rasti me tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë, pastaj të afërmit e të ndjerit, përfshirë fëmijët, pasojat për shëndetin e tyre mendor mund të jenë shumë të theksuara”, thotë Paçoska.
Ajo thekson se një përzierje emocionesh si trishtimi, faji, zemërimi, frika, padrejtësia, mund të zvogëlojë aftësinë emocionale për t’u marrë me situata të vështira stresuese dhe të errësojë një qasje të arsyeshme ndaj realitetit, ose të theksojë fuqishëm një gjendje depresive, ankth, panik, destruktivitet dhe reagime vetëshkatërruese dhe të ngjashme si këto.
Sipas Paçoskës, mënyra sensacionale e raportimit i ekspozon vazhdimisht njerëzit që u ekspozuan ndaj aksidentit dhe përfunduan me lëndime në stres të zgjatur. Ri-përjetimi i një ngjarje stresuese, siç ndodh tani, duke mbingarkuar kapacitetin e tyre emocional për përshtatje dhe sistemin mbrojtës, ka një ndikim të fortë në përkeqësimin e gjendjes së tyre psikologjike dhe është një nga faktorët në zhvillimin e çrregullimit të stresit post-traumatik.
Informimi në rast aksidentesh duhet të jetë larg sensacionalizmit
Sipas Kodit të Gazetarëve, media është e detyruar, veçanërisht kur bëhet fjalë për informacione që lidhen me humbjen e jetës, të respektojnë nenin 1 të Kodit, i cili thotë: “Gazetari duhet të publikojë informacion të saktë, të verifikuar dhe nuk duhet të fshehë të dhënat thelbësore dhe të falsifikojë dokumentet. Nëse informacioni nuk mund të konfirmohet, ose është një supozim, pra spekulim, kjo duhet thënë dhe publikuar. Saktësia e informacionit duhet të kontrollohet sa më shumë që të jetë e mundur. Në rast të fotografive dhe videove eksplicite, duhet t’i kushtohet vëmendje nenit 8 dhe nenit 7 të Kodit, të cilët thonë se “mënyra e informimit në rastet e aksidenteve, fatkeqësive natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, procedurave gjyqësore duhet të jetë larg sensacionalizmit “, domethënë,” gazetari do të respektojë privatësinë e personit, përveç rasteve kur është në kundërshtim me interesin publik. Gazetari është i detyruar të respektojë dhimbjen dhe pikëllimin personal.”
Katerina Sinadinovska nga Këshilli për Etikën e Medias, si parimin kryesor në raportimin e humbjes së jetës njerëzore dhe informacionit në rast aksidentesh dhe tragjedish, veçon nenin 1 të Kodit Gazetaresk dhe thekson shmangien e tundimit për aksesin sensacional ndaj përpunimin dhe raportimit të informacionit.
“Gjë që është jashtëzakonisht e vështirë në kohën e zgjerimit të portaleve, kur qëllimi është të klikohet sa më shumë. Ajo që mediat gjithashtu harrojnë është të bëjnë dallimin midis një katastrofe të këtij lloji, kur të vdekurit janë qytetarë që nuk janë figura publike, ose vdekja e një personi publik, vdekja natyrala, një aksident apo vetëvrasje. Për këtë të fundit, ka pikëpamje të ndryshme të shkollave të ndryshme të gazetarisë se sa lejohet, sa i përket publikimit të fotografive dhe të ngjashme, dhe ku është kufiri në respektimin e privatësisë”, thotë Sinadinovska.
Ajo shton se pikëpamjet e Këshillit Evropian të Etikës, të harmonizuara përmes Aleancës së Këshillave të Pavarur të Shtypit në Evropë – AIPCE, ku Këshilli për Etikën e Medias në Maqedoni (KEMM) është anëtare e plotë, thuhet se me aksidentet dhe fatkeqësitë, kur kanë humbur jetën njerëz të cilët nuk kanë qenë të ekspozuar më parë në publik përmes punës së tyre, duhet të respektohet privatësia dhe vëmendje duhet t’i kushtohet dhimbjes personale të të afërmve.
Lidhur me raportimin për tragjedinë në Tetovë, ajo kujton reagimin e tyre me një vërejtje se nuk u respektuan tre nene të Kodit të Gazetarëve, pra nenet 1, 7 dhe 8, të cilat i referohen transmetimit të informacionit të saktë dhe të verifikuar.
“Kishte spekulime për numrin e viktimave, i cili është i ndaluar në aksidente, dhe në disa raste as që na është thënë se ishte spekulim, fotot dhe videot sensacionaliste u publikuan pa marrë parasysh dhimbjen personale të familjeve,” tha ajo.
Sinadinovska shton se ata shpesh marrin raporte për shkelje të standardeve gazetareske në raportimin e humbjeve të jetëve njerëzore, në aksidente dhe tragjedi, duke theksuar se sa herë që ka pasur një aksident, ata përballen me ankesa të tilla, dhe gjithmonë kanë pasur një reagim.
Bojan Kordalov, komunikolog, specialist në marrëdhëniet me publikun dhe mediat e reja, thotë se në këto raporte, të gjitha parimet e gazetarisë duhet të respektohen, veçanërisht në fushën e mbrojtjes së identitetit të viktimave dhe integritetit të familjeve të tyre.
Ai konsideron se, kryesisht, mediat vazhdimisht tregojnë një nivel të lartë të ndërgjegjësimit, standardeve dhe pajtueshmërisë me të gjitha rregullat kur raportojnë aksidentet në Maqedoni dhe këtë e tregon rasti në Tetovë. Sidoqoftë, siç thotë ai, ndonjëherë krijohet përshtypja se nën ndikimin e strukturave politike, disa nga mediat online prioritet i japin momentit të sensacionit, duke i dhënë me vetëdije ose pa vetëdije, raportimit ngjyra politike, në situata të tilla krize.
Raportimi sensacional mbi tragjeditë dhe aksidentet minon besimin e njerëzve në institucionet
E pyetur nëse institucionet, që informojnë, i respektojnë këto standarde, Sinadinovska tha se njoftimet e tyre shpesh janë jashtë këtyre standardeve të larta por kjo nuk e shqetëson aq shumë, sepse, siç thotë ajo, këto njoftime, në një redaksi profesionale gjithmonë përpunohen nga një gazetar.
“Institucionet duhet të kenë kujdes që të jenë sa më transparente. Kur ka një fatkeqësi, duhet të ketë marrëdhënie të vazhdueshme me publikun, konferenca për shtyp apo edhe një qendër të hapur për shtyp 24 orë në ditë për të siguruar informacion institucional dhe një mundësi që gazetarët të bëjnë pyetje në emër të qytetarëve, ndër të tjera, dhe të sfidojnë atë që lëshohet si qëndrim zyrtar i një institucioni. Atyre pikëpamjeve zyrtare duhet t’u lihet hapësirë për të qenë subjekt i interesit gazetaresk, qoftë për t’u shpjeguar më tej, thjeshtuar ose thjesht – për t’u kontestuar, nëse kanë të dhëna të tilla gazetareske – thotë Sinadinovska.
Kordalov pajtohet për këtë çështje dhe thotë se institucionet në këtë rast kanë treguar se mund dhe duhet të funksionojnë shumë më mirë në raport me median.
“Në një situatë krize, është e nevojshme të riorganizohet në një të ashtuquajtur sistem informacioni krize, që do të thotë informacion i përditësuar vazhdimisht për mediat, por edhe qasje e pandërprerë e përhershme në të gjitha informacionet e tjera. Një mësim veçanërisht i rëndësishëm për politikanët është se nuk ka informacion ose lajme në rrethana të tilla, të cilat ata duhet t’i ndajnë me publikun kryesisht përmes mediave sociale. Përkundrazi, mënyra për të informuar publikun në situata të tilla krize, bëhet kryesisht përmes mediave, duke vënë në shërbim të tyre informacionin në kohë, të saktë dhe të besueshëm për publikun”, tha ai.
Kordalov thotë se lajmet sensacionale dhe informacionet e paverifikuara për humbjen e jetëve njerëzore, aksidentet dhe tragjeditë kanë një ndikim të pamohueshëm negativ në audiencë, opinionin publik, si dhe në familjet e viktimave.
Lidhur me ndikimin e lajmeve të bujshme në lidhje me këto raste tek publiku, Sinadinovska, nga ana tjetër, ndau përvojën e saj nga tragjedia e fundit, duke thënë se kutia e saj postare ishte e mbushur me mesazhe nga një audiencë e neveritur nga mënyra e informimit, duke i kërkuar KEMM -it që të reagojnë për të ndaluar, mbi të gjitha, përhapjen e disa fotografive jashtëzakonisht eksplicite të trupave të djegur.
“Jo vetëm familjet apo të afërmit, por edhe qytetarët u traumatizuan. Këtu, unë do të citoj një mesazh nga një qytetar: “A u çmendëm të gjithë në këtë vend? A ka dikush që mund t’i heqë këto video nga Fejsbuku apo nga FB-faqet e mediave? Si mund të publikohet diçka e tillë? Me çfarë llogjike? Ajo që pashë do të mbetet para syve të mi përgjithmonë. Përgjithmonë. Nuk ka respekt për një person të vdekur. Unë e di që ju jeni një gazetare dhe ndoshta do t’i mbroni kolegët tuaj, por kjo shkakton dhimbje dhe traumatizon,” raportoi Sinadinovska.
Ajo thotë se nëse mediat duan të tregojnë madhësinë e katastrofës përmes fotografive, atëherë ekziston gjithmonë opsioni për të mbuluar detajet ose, të paktën, për të treguar se këto janë video ose fotografi me përmbajtje shqetësuese.
Psikologia Paçoska thotë se kjo mënyrë e informimit minon seriozisht besimin e njerëzve në institucione.
“Sidomos me zhvillimet e fundit në zjarrin në spitalin modular, mund të çojë në frikën e popullatës që të trajtohet në spitale, të vijë për ekzaminime me vonesë, dhe kështu më lehtë të çojë në një gjendje të përhapjes së infeksionit me Kovid-19. Gjithashtu, ka spitale modulare në disa qytete në të gjithë Maqedoninë, dhe njerëzit e infektuar me virus, të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore, mund të refuzojnë të shtrohen në spital për shkak të frikës dhe ndjenjës së rrezikut nga kushtet e akomodimit të tyre,” tha ajo.
Sipas Paçoskas, mënyra më e mirë për të mbrojtur personat e prekur dhe popullatën nga ndikimi i këtij informacioni është ekspozimi i kufizuar ndaj këtij lloji të informacionit, ndarja e gjendjes së tyre emocionale me ekspertët, ose kur ata janë në një destabilizim shpirtëror më të butë – me njerëz të afërt, gjatë shëtitjeve në natyrë, mësimin e teknikave për të zvogëluar ankthin dhe stresin.
Lidhur me parandalimin e pasojave të presionit dhe ekspozimit publik, ajo tha se ndihma dhe mbështetja psikologjike duhet t’u ofrohet të prekurve. Njerëzve dhe familjeve që kanë humbur një person të dashur duhet t’u jepet ndihmë psikoterapeutike, dhe publikut të gjerë, përmes mediave, duhet t’i ofrohet sa më shumë përmbajtje pozitive nga ngjarjet aktuale në komunitetin lokal dhe në nivel kombëtar për të filluar rikthimin e besimit në institucionet.