Raporti mes aktorit dhe publikut, një magji në vete

Delvina KËRLUKU

Valmir AZIRI u lind më 19 mars të vitit 1977, në Tetovë. Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në vendlindje. Ka diplomuar në Fakultetin e Arteve pranë Universitetit të Tetovës, dega dizajni grafik, në klasën e profesor Safet Spahiut. Është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativ të qytetit të Tetovës. Ka realizuar një ekspozitë personale, si dhe ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive. Në vitet 2005-2009 ka ushtruar detyrën e zëdhënësit të Komunës së Tetovës. Nga viti 2009 deri më 2011 ka drejtuar Galerinë e Arteve në Tetovë dhe nga viti 2011 është drejtor i Teatrit të Tetovës.

KOHA: Z.Aziri, jeni drejtor i Teatrit të Tetovës. Si ndodhi që Ju të përzgjidheni në krye të këtij institucioni?

AZIRI: Ishte viti 2011 kur Teatri i Tetovës ballafaqohej me probleme serioze dhe çdo ditë e më shumë ky teatër fundosej në vorbullën e problemeve administrative dhe ky institucion po degradohej dita ditës nga mos-funksionalitetit i tij. Nuk ka qenë përzgjedhja e lehtë e imja për të pranuar këtë detyrë, por me insistim të miqve dhe të bashkë-partiakëve, unë pranova të udhëheq këtë institucion për një mandat 4-vjeçar dhe të bëj më të mirën time të mundshme që ky institucion t’i kthehet normalitetit dhe të fillonte që qytetarëve të Tetovës t’u ofronte atë për të cilën ishte krijuar.

KOHA: Përpara se të emëroheshit drejtor, cila ishte puna jua?

AZIRI: Para se te emërohesha Drejtor i Teatrit të Tetovës, kam qenë drejtor në Galerinë e Arteve të Tetovës, post të cilin e kam ushtruar përafërsisht 3 vite e gjysmë. Nga ajo detyrë që kisha në Galerinë e Arteve m’u dha mundësia që unë të jem dora e parë që do t’i ndihmoja kolegët e mi artistë të Artit figurativ.

KOHA: Cili është rrëfimi i fëmijërisë suaj? A ju kujtohet dita e parë në shkollë, mësuesi i parë, shokët, pastaj shkolla e mesme, jeta studentore..?

AZIRI: Fëmijëria jonë është shumë e dallueshme nga fëmijëria e ditëve të sotme, në atë kohë në vitet 90, Jugosllavia, gjegjësisht shteti ynë, Maqedonia, po përjetonte ditët e para të demokracisë dhe nëse mund të shprehem të anarkisë, ku nga një sistem komunist me nuanca më liberale se nga sistemet e tjera komuniste, po kalonim në një sistem demokratik ku ne po mësonim rregullat dhe lojën e demokracisë. E thash këtë që të tregoj se ne po futeshim në diçka të panjohur. Për ne si fëmijë të vegjël që ishim dhe që po bënim hapat e parë në jetë dhe rreth nesh po ndodhnin ndryshime radikale në mënyrën e të jetuarit dhe mendimit. Dita ime e parë e shkollës dhe e të gjithë fëmijëve është njësoj, është dita që kujtohet me nostalgji, ku ne ballafaqoheshim me pyetjet e para nga mësuesit tanë, nga rrethi i ri social që po krijohej dhe nga mundësia e re që po na ofrohej. Unë kam pas nderin që të kem një mësuese model, e cila me punën e saj bëri që neve sot me krenari ta kujtojmë. Ajo ishte mësuesja ime tash më e ndjerë, Emine Isaku. Vlen të përmendet se në atë kohë mungonin telefonat celular, kompjuterët dhe si rrjedhojë e kësaj shokët real ishin në numër më të madh dhe mund të themi lirisht se çdokush njihte çdokënd në shkollë, nga fakti i vetëm që në kohën e lirë aktivitetet sportive i zhvillonim brenda shkollës dhe brenda sallave dhe fushave sportive që ekzistonin në atë kohë. Shkolla e mesme ka qenë një prej periudhave më të trazuara në jetën time, ka qenë një periudhë kur në shtetin tonë në përgjithësi rinia po provonte “demokracinë” dhe po provonte stilin e ri të jetesës së viteve të 90’ta. Kemi qenë dëshmitar të shumë ngjarjeve historike të asaj kohe. Qyteti i Tetovës me hapjen e Universitetit të Tetovës bëri që shumë studentë nga ne të mund të ndiqnin ëndrrat e tyre për një arsim sipëror, në gjuhën shqipe. Unë fillova të ndjek studimet në Fakultetit e Artit Figurativ, gjegjësisht u bëra student i dizajnit grafik në klasën e Safet Spahiut. Ne punonim me një elan dhe me një dëshirë të madhe për të arritur në gradat më të larta të diturisë dhe për të përthithur sa më shumë dituri nga profesorët tanë të nderuar. Ishte një kohë kur asgjë nuk ishte e sigurt dhe kur Maqedonia sapo kishte dalë nga lufta dhe ne si bashkëpjesëmarrës të asaj lufte dhe studentë të asaj kohe, kishim obligimin e dyfishtë që të bëjmë më të mirën tonë. Profesori Miftar Memeti thoshte “rrushi piqet duke parë kokrra kokrrën” dhe ne në atë kohë ndiqnim në mënyrë të verbër këtë thënie të profesorit. Ndërsa, solidariteti dhe bashkëpunimi mes studentëve ishte në nivelet më të larta.

KOHA: Teatri na ka dhënë shumë në planin njerëzor, e shpesh aty kemi gjetur përgjigje e paqe në momente tepër të vështira personale. Çfarë do të thotë teatri për Ju?

AZIRI: Bota është teatër dhe ne të gjithë jemi aktorë në të. Teatri në një masë të madhe reflekton dhe ka reflektuar prej kohësh gjendjen momentale, shpirtërore, politike, ekonomike dhe sociale të njerëzimit. Çdoherë teatri ka qenë njëlloj opozite, njëlloj mediumi, ku nëpërmjet skenës dhe lojës së aktorëve është kundërshtuar një politikë apo një fenomen devijues të shoqërisë. Teatri çdoherë ka gjetur rrugë për të qenë zëri më kritik në një shoqëri dhe si i tillë ky institucion, nuk është i rastësishëm që ekziston që nga kohërat e Greqisë Antike. Shikuar nga aspekti personal, shumë njerëz që vijnë dhe harxhojnë nga jeta e tyre dy orë e më shumë për të parë një shfaqje teatri, në të shumtën e rasteve thonë që ishte koha më e mirë që kanë harxhuar.

KOHA: Për ne është e mirë që të kemi më shumë kontakte me vendet e tjera, duke pasur parasysh se shumë vite kemi qenë të izoluar. Si ju duket platforma e bashkëpunimit me teatrot e tjera të vendit?

AZIRI: Bashkëpunimet teatrore mes vete janë në rritje e sipër çdo ditë e më shumë. Teatri i Tetovës është i ri në kuptimin e asaj që është krijuar para 10 viteve dhe duke marrë parasysh që ky teatër ka pasur një kohë prej dy vitesh që ka qenë thuajse inegzistent në funksionimin e tij. Vitet e fundit ky teatër ka krijuar një festival ndërkombëtar të dramës nacionale, i cili festival i ka mundësuar Teatrit të Tetovës ndërtimin e urave të bashkëpunimit me teatrot e vendit, me teatrot e shteteve përreth dhe më gjerë. Një bashkëpunim shumë i sinqertë dhe shumë konkret është bashkëpunimi mes Teatrit të Tetovës dhe Teatrit Shqiptar në Shkup. Do të punojmë edhe në të ardhmen që ky bashkëpunim mes teatrove të jetë i vazhdueshëm dhe këto bashkëpunime shpresojmë që do të ndihmojnë ngritjen e kualitetit të shërbimeve që u ofron teatri.

KOHA: Është më e lehtë për grupet muzikore, grupet e valltarëve, të shkojnë në një vend të huaj të japin një shfaqje? Por, si mund të realizohet shkëmbimi i grupeve teatrale?

AZIRI: Nuk do të kisha thënë që grupet muzikore, grupet e valltarëve dhe të tjerët e kanë të lehtë shkëmbimin e performansave të tyre me vendet tjera. Gjithashtu shfaqjet teatrale më shumë shfaqen dhe u jepet mundësia të prezantohen në vendet tjera nëpërmjet festivaleve të cilët organizohen në rajon dhe në botë. Teatri i Tetovës ka arritur që të merr pjesë në Festivalin “Mess” të Sarajevës, në Festivalin e Bursës në Turqi si dhe në shumë Festivale të qyteteve të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe brenda vendit. Është e vërtetë që kërkon një punë të jashtëzakonshme e stafit të teatrit për të bartur skenografi, kostumografi si dhe ndriçimin, nga një qytet në ndonjë qytet tjetër dhe ndonjëherë nga një shtet në shtet tjetër, kërkon një angazhim dhe koordinim maksimal të të gjitha hallkave të veprimit të teatrit si institucion.

KOHA: Zhvillimi i teknologjisë, mediave, nuk e ka zbehur rolin e teatrit, i cili komunikon drejtpërdrejt me publikun? Si mendoni Ju?

AZIRI: Zhvillimi i teknologjisë nuk e ka zbehur rolin e teatrit, por në një farë forme, nëse mund të themi, ia ka vështirësuar jetën teatrit, me faktin që teatri vepron dhe komunikon në mënyrë më të ngurtë me publikun. Kur themi më të ngurtë, mendojmë në atë që aktori i drejtohet publikut nëpërmjet skenës, ndërsa sot njeriut i ofrohen miliona informata nga emisionet, filma, programe zbavitëse në një ‘smartphone’ të përmasave të dorës. Kjo nënkupton që regjisorët, aktorët dhe menaxherët e institucioneve të teatrit duhet të jenë në hap me kohën dhe për të qenë i sinqertë inkuadrimi i teknologjisë më moderne në skenat e teatrit po ndodh me hapa galopante. Teatri, sado që mund të duket një institucion i vjetruara ose i dal mode, përsëri loja e aktorëve, skena teatrore, lidhja që krijohet mes aktorit dhe publikut është një magji në vete, të cilën nuk mund ta ofrojnë tabletet, smartfonat dhe kompjuterët e ditës së sotme.

KOHA: A mund të na tregoni kur qan dhe qesh Talia – te skena politike shqiptare?

AZIRI: Talia çdoherë ka ditur t’i buzëqesh në mënyrë ironike politikës dhe duke marrë parasysh skenën politike shqiptare, unë mendoj që Talia më shumë qëndron duke qarë sesa duke qeshur, edhe atëherë kur qeshet në realitet ajo e përbuzë me të qeshurën e saj skenën politike shqiptare, aq shumë lojë zhvillohet në prapaskenën e politikes shqiptare, sa që edhe vetë Talia do t’i shfrytëzonte për burim frymëzimi.

KOHA: Për ta mbajtur gjallë teatrin, duhet përkrahje nga komuna ose Ministria e Kulturës. Sa mbështetet Teatri i Tetovës nga këto struktura?

AZIRI: Themelues i institucionit nacional, Teatri i Tetovës, është Ministria e Kulturës, e cila është edhe financuese kryesore e projekteve. Komuna e Tetovës ka qenë një partnere serioze në të shumtën e projekteve që ka realizuar ky institucion. Ministria e Kulturës çdoherë ka përkrahur Teatrin e Tetovës në aspektin financiar. Vlen të përmendet që sot në qytetin e Tetovës po ndërtohet një teatër, i cili do të jetë një nga teatrot më bashkëkohor që ekziston në trevat shqiptare, por edhe më gjerë. Kjo na bën neve që të ndjehemi më të sigurt për të ardhmen e Teatrit të Tetovës, ky investim do të jetë një stimul plus për të gjithë ata të cilët studiojnë në Fakultetin e Artit Dramatik në Tetovë, por edhe do të jetë një stimul plus për ata të cilët do të vendosin që në të ardhmen të studiojnë aktrim. Ky objekt që po ndërtohet do të jetë vatra e re e krijimtarisë artistike të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë. Ne shpresojmë që edhe në të ardhmen këta dy institucione, si Ministria e Kulturës, Komuna e Tetovës, por edhe bizneset e vogla dhe kompanitë e mëdha do të bëhen partnere të projekteve të përbashkëta që do t’i realizojmë me Teatrin e Tetovës .

KOHA: Teatri është shtëpia, ku aktorët bëhen familjar. Cila është familja juaj?

AZIRI: Duke u ndërlidh nga ajo që thamë më lartë, ne me të vërtet jemi duke ndërtuar një shtëpi për aktorët tanë, por edhe për aktoret të cilët në të ardhmen do të angazhohen në këtë institucion. Po ashtu, është e vërtetë që teatri i Tetovës ka një grup shumë të konsoliduar të aktorëve, aktorë të cilët gati 10 vite po krijojnë dhe po e mbajnë të gjallë këtë institucion. Aktorë, të cilët edhe pse për momentin po punojnë në kushte jashtëzakonisht të rënda, ata përsëri arrijnë me shumë sukses të realizojnë obligimet që marrin për një projekt të caktuar, kur ne shohim shpirtin krijues të këtyre aktorëve, kur ne shohim shpirtin luftarak dhe solidar të këtyre aktorëve, atëherë besojmë që ky teatër, ky institucion do të ketë një jetë të gjatë, të suksesshme dhe të sigurt. Skena është e vdekur pa aktorin, menaxhmenti i një treatri, punëtorët administrativ, punëtorët skenik, ndriçimi, skenografia dhe kostumografia, të gjitha këta janë pjesë shumë e rëndësishme e një mozaiku të quajtur teatër, mirëpo ky mozaik asnjëherë nuk do të ishte i plotë pa kryefjalën e këtij institucioni, i cili është aktori. Familja ime, është bota e artit figurativ dhe nëse dikush do më bënte pyetje a do të ndryshoja po të ishte mundësia të bëhesha aktor dhe jo artist i artit figurative, mendoj që përsëri do t’i qëndroja besnik artit figurativ, pasi që arti figurativ dhe arti dramatik, edhe pse mund të jenë të përafërta në emërime, janë dy botë të ndryshme nga mënyra se si konceptohen nga publiku, nga mënyra se si shprehen ndjenjat në këta dy arte dhe nga mënyra se si artistët e këtyre dy arteve fisnike prezantohen dhe shprehin punën e tyre para publikut.

KOHA: Ne shqiptarët kemi plagën e kurbetit. Pra, çdo njeri ka një plagë që e vuan në heshtje?

AZIRI: Kurbeti është një plagë të cilën shqiptarët e kanë përjetuar në mënyrën më brutale, por nuk do të kisha thënë që kjo është vetëm plagë e shqiptarëve. Unë shpesh them, o Zoti im, më bëj të duruar me vendimet e tua të cilat unë nuk mund t’i ndryshoj! Plagët më të mëdha në jetë na krijohen në momentin kur ne jemi të pafuqishëm për t’i ndryshuar ngjarjet që ndodhin në jetën tonë. Shqiptarët janë popull fisnik dhe krenar, por të vuajtur dhe si të tillë ne kemi shumë plagë të hapura, por nëse ndonjë shekull do të emërohet shekulli i shqiptarëve, padyshim që shekulli 21 duhet të emërohet si shekull i kthesave të mëdha, si shekulli i mbylljes së shumë plagëve shekullore të shqiptarëve. Shpresojmë që me një vetëdijesim më të lartë kombëtar, me një punë vetëmohuese të kombit shqiptar në të gjitha trevat në një të afërme jo të largët, shqiptaret do të jenë të zotët e vetvetes dhe do të marrin në dorë ardhmërinë e vet.

KOHA: Për Ju, një buzëqeshje e ngrohtë është gjuha universale e mirësisë?

AZIRI: Profeti Muhammed ka thënë se sadakaja më e mirë është buzëqeshja ndaj vëllait. Nga kjo nënkuptojmë që altruizmi njerëzor çdoherë duhet të prevalojë mbi të keqen, mbi injorancën. Neve na është dhënë një kohë relativisht e shkurtër për të jetuar në këtë botë. Do të ishte çmenduri që njeriu si qenie më inteligjente që ecën mbi këtë tokë, këtë kohë të dhënë ta kalojë në luftëra dhe në injorancë. Përkundrazi, ne duhet që të shfrytëzojmë çdo mundësi që të përmirësojmë kualitetin e jetës tonë nëpërmjet arsimimit të mirëfilltë, nëpërmjet artit dhe kulturës, ta fisnikërojmë veten dhe vetëm me buzëqeshje, sinqeritet dhe solidaritet, do të arrijmë që kësaj kohe kaq të shkurtër t quajtur jetë, t’i japim kuptim.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.