Shkup, 29 janar – Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin për Republikën e Maqedonisë për vitin 2018, i publikuar sot, e vlerëson pozicionin e politikës monetare përkatës, ndërsa sektorin bankar stabil, përcjellë gazeta KOHA.
Në raport, siç citohet në njoftimin e BPRM-së, është vlerësuar relaksim monetar gjatë vitit të kaluar, si përkrahje e aktivitetit të përgjithshëm në ekonomi si dhe ruajtjen e pritjeve stabile të subjekteve ekonomike dhe besimit të tyre.
Në të njëjtën kohë, konstatohet se relaksimi i politikës monetare gjatë vitit pasqyron lëvizjet e favorshme në tregun valutor, hendekun e vogël të prodhimit dhe inflacionin mestar.
Në raportin e saj, FMN-ja konfirmon se pozicioni i jashtëm i ekonomisë është kryesisht në përputhje me bazat afatmesme dhe që rezervat valutore do të mund të mbahen në një nivel të përshtatshëm në periudhën e ardhshme.
FMN-ja vlerëson se sistemi bankar është stabil dhe se bankat janë me kapital të lartë, likuide dhe profitabile.
Në raport theksohen edhe disa rekomandime konstruktive për përforcimin e mëtejshëm të kornizës për stabilitet financiar, që ishin konfirmuar në kuadër të Programit për vlerësimin e sektorit financiar në Republikën e Maqedonisë i cili përfundoi para pak kohësh.
Sa i përket zhvillimeve makroekonomike, FMN pret që rritja ekonomike në vend të përshpejtohet në 2.8 për qind në vitin 2019, mbështetur nga rikuperimi i aktivitetit të investimeve dhe 3.4 për qind në periudhën afatmesme.
Sipas FMN-së, rritja e protekcionizmit global dhe tendosja e kushteve ndërkombëtare financiare janë rreziqet kryesore negative për pasqyrën makroekonomike tek ne.
Nga ana tjetër si rreziqe pozitive theksohen, përshpejtimi i procesit të reformave strukturore dhe fillimi i negociatave për hyrjen në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Raporti për Republikën e Maqedonisë për vitin 2018 paraqet finalizimin përfundimtar të vlerësimeve nga shqyrtimi i rregullt vjetor i ekonomisë së Maqedonisë krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar në kuadër të Misionit, sipas nenit 4 të Statutit të FMN-së. (koha.mk)