Tiranë, 30 janar – Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) është raporti më i mirë i bërë për Shqipërinë, që konfirmon rritjen ekonomike në nivelin 4,2% në përputhje me pritshmëritë e qeverisë shqiptare, njofton ATSH.
Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, u shpreh sot në një emision televiziv, “se qëndrimi i FMN-së në të dhënat për muajin janar konfirmon rritjen ekonomike në nivelin 4,2 për qind dhe kjo është një rritje e konsoliduar dhe e prekshme tashmë edhe tek konsumatorët dhe biznesi”.
Duke iu referuar raportit të FMN-së, Ahmetaj tha se, treguesit pozitivë mbështeten në shifra. “Konsumi është më i larti në nivelin 3,8 për qind, ndërsa janë hapur 262 mijë vende pune. “Janë 262 mijë qytetarë në fshat dhe qytet që janë në një punë. Dikur diskutohej papunësia. Tani diskutohet që kemi nevojë për sektorë më të sofistikuar”, tha Ahmetaj.
Ndërsa për sa i takon borxhit publik, ish-ministri i Financave deklaroi se, sot borxhi publik është në nivelin më të ulët historik, duke u ulur në 68,8 për qind nga 74 për qind që ishte, transmeton gazeta KOHA.
Ndërsa Shqipëria konsiderohet vendi me taksat më të ulëta në rajon.
“Jemi vendi me taksat më të ulëta në rajon. Ia kam thënë edhe kryeministrit dhe ministres aktuale. Nuk duhen të preken më paketat fiskale. Tani duhet të fokusohemi tek risqet. Janë risqet e huaja, të jashtme”, deklaroi Ahmetaj.
I pyetur mbi ndryshimet në qeveri, Ahmetaj tha se kemi ekipin e duhur në sektorët kyç të vendit. Ai shprehu besim tek ekipi i ri, për të cilin tha se është një ekip i fortë me njerëzit e duhur.
“Mendoj që ekipi i ri është i duhur, mund ta them pa frikë që është një ekip i fortë në gjithë sektorët kyçë. Në pak muaj do shohim një përshpejtim qoftë në anën sektoriale, qoftë në tërësi. Ata janë personalitete në fushat e tyre profesionale. Së bashku mund të formatojnë reforma. Në aspektin e ndryshimeve, mënyra e duhur, koha e duhur, njerëzit e duhur, e padiskutueshme”, deklaroi Ahmetaj. (koha.mk)