Në pjesën për korrupsionin dhe mungesën e transparencës së qeverisë thuhet se OJQ-të besojnë se roli dominues i qeverisë në ekonomi krijon mundësi për korrupsion, duke shtuar se qeveria është punëdhënësi më i madh në vend
Xhenur ISENI
Shkup, 15 prill – Sjellje jo e hijshme dhe kushtet e këqija të burgjeve, kërcënimet ndaj gazetarëve, rastet e “korrupsionit serioz qeveritar” ku përfshihen zyrtarë të rangut të lartë, si dhe dhuna gjinore dhe në familje, renditen si probleme në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Maqedoninë e Veriut për vitin 2021. Në raport thuhet se qeveria ka ndërmarrë hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kanë kryer keqpërdorime ose marrë pjesë në korrupsion. Në pjesën për korrupsionin dhe mungesën e transparencës së qeverisë thuhet se OJQ-të besojnë se roli dominues i qeverisë në ekonomi krijon mundësi për korrupsion, duke shtuar se qeveria është punëdhënësi më i madh në vend. Në raport theksohet edhe rasti i shkarkimit të drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski, për shkak se ai refuzoi të zbatojë vendimin e qeverisë për vendosjen e 35 nëpunësve shtetëror në institucionin e tij.
Bëhet fjalë për planin e qeverisë për 1349 nëpunës shtetërorë të paguar nga Ministria për Sitem Politik dhe Marrëdhënie me Komunitetet – të cilët asokohe nuk shkonin në punë për t’u shpërndarë në vende pune konkrete në 237 institucione qeveritare. Në raport është potencuar edhe deklarata e kryetares së Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, për numrin e vogël të lëndëve të tyre që arrijnë me aktvendim gjyqësor. Një nga zyrtarët qeveritarë të përfshirë në korrupsion është arrestimi i ish-këshilltarit të Kryeministrit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë Dragi Rashkovski për mashtrim në blerjen e softuerit për monitorimin e trafikut për MPB-në. Raporti konstaton se si gjyqësori ashtu edhe Prokuroria Publike nuk kanë financa dhe staf të mjaftueshëm.
KËRCËNIMET NDAJ GAZETARËVE
Raporti i kushton vëmendje lirisë së shprehjes, si dhe reagimit të organeve gjyqësore ndaj rasteve të dhunës dhe frikësimit të gazetarëve. “Gjatë vitit ka pasur raste të dhunës fizike, gjoja kërcënimeve dhe ngacmimeve të gazetarëve. Kushtetuta parashikon lirinë e shprehjes, duke përfshirë anëtarët e shtypit dhe mediave të tjera, dhe qeveria në përgjithësi e respektoi këtë të drejtë. Sipas Shoqatës të Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), megjithatë, përgjigjja e organeve të ndjekjes ndaj rasteve të dhunës nga palët e treta dhe frikësimit të gazetarëve ka qenë i ngadaltë dhe joefikas”, thuhet në raport.
Gjatë vitit të kaluar është konstatuar se ka pasur raste të dhunës fizike, gjoja kërcënimeve dhe ngacmimeve të gazetarëve, dhe këtu janë dy raste të sulmeve ndaj kameramanit të agjencisë shtetërore të lajmeve MIA nga protestuesit që protestuan kundër vendimeve të gjykatës për rastin “Monstra”. Rasti tjetër i referohej edhe kërcënimeve të përsëritura me vdekje ndaj disa gazetarëve vendas nga Tetova. Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe aktivistë të tjerë për të drejtat e njeriut dhe lirinë e mediave kanë raportuar për rritje të rasteve të gjuhës së urrejtjes. Ndër to janë edhe fyerjet dhe përbuzjet e mjekëve, të shprehura gjatë protestave kundër vaksinimit të 15 gushtit në Shkup, ndërsa SHGM përmes një komunikate dënoi mesazhet dhe ofendimet vulgare ndaj ekipeve mediatike që raportuan për protestat. Departamenti i Shtetit vëren se mediat dhe raportimi janë kryesisht të ndara sipas linjave politike, por ka gjithashtu një numër në rritje të mediave të pavarura që shprehin në mënyrë aktive pikëpamje të ndryshme pa kufizime të dukshme.
BRUTALITETI POLICOR
Pjesëtarët e forcave të sigurisë kryen një sërë keqpërdorimesh, duke përfshirë përdorimin e tepruar të forcës nga policia dhe rojet e burgut, thotë Departamenti i Shtetit në pjesën mbi torturën dhe keqtrajtimin. Bëhet fjalë për të dhënat e Njësisë së Standardeve Profesionale të MPB-së, sipas së cilës, në shtatë muajt e parë të vitit të kaluar është vepruar në 38 kallëzime që kanë të bëjnë me përdorimin e forcës së tepruar nga punonjësit e policisë. Dy prej tyre u konfirmuan, gjashtë nga ankesat ishin të pabazuara dhe 30 u refuzuan për shkak të provave të pamjaftueshme. Në të dyja rastet ndaj dy punonjësve të policisë është ngritur kallëzim penal për “maltretim gjatë kryerjes të detyrës”.
Avokati i Popullit ka pranuar 51 ankesa kundër policisë, duke përfshirë dy për brutalitet policor. Në vërejtjet e saj, Departamenti i Shtetit citon gjithashtu një raport të Avokatit të Popullit ku thuhet se nga janari deri në shtator 2020, vetëm 15 nga 1080 të paraburgosur e kanë ushtruar të drejtën e tyre për avokat me shpenzime publike. Raporti tregoi se zyrtarët policorë pothuajse kurrë nuk i këshilluan të paraburgosurit se të varfrit kishin të drejtë të kërkonin avokat me shpenzime publike dhe se shumë stacione policie përdornin lista të vjetruara të avokatëve mbrojtës, disa që datojnë që nga viti 2012. Stacionet policore të vizituara nga Avokati i Popullit gjithashtu nuk kanë lista të përditësuara të mbrojtësve që kanë kryer trajnime të specializuara për drejtësinë për të miturit. (koha.mk)