Sektori digjital rritet shpejt dhe me ndihmën e tij rritet potenciali i rritjes së ekonomive. Kështu që, pavarësisht sfidave të krizave globale, duhet të ju përkushtohemi reformave, siç është digjitalizimi, theksoi guvernatorja Aneta Angellovska-Bezhoska
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 2 prill – Prioritetet kryesore të Maqedonisë së Veriut ndër të tjerash duhet të jenë rritjen e efikasitetit të mbledhjes së tatimeve, dhe përmirësimi i menaxhimit të investimeve publike. Gjithashtu edhe rritja e energjisë elektrike dhe ushqimeve dhe ambient jo stabil i jashtëm po rrisin paqartësinë në aspektin ekonomik. Nevojitet me kujdes të menaxhohet edhe inflacioni që është nën kontroll, por, që po rritet jo vetëm në Maqedoni, por edhe në tërë botën. Njëherësh reforma arsimore duhet të përshpejtohet për të trajtuar nivelin vazhdimisht të lartë të papunësisë së të rinjve. Reformat e vazhdueshme që fokusohen në adresimin e mospërputhjeve të aftësive në tregun e punës nëpërmjet rinovimit të sistemit të arsimit profesional mund të ndihmojnë në adresimin e këtij problemi. Kjo ndër të tjerash theksohet në Raportit më të ri të Tranzicionit 2021-2022 të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Sfidë për vendin do të jetë edhe tranzicioni energjetik me uljen e përdorimit të qymyrit dhe rritjen e energjisë nga uji, era, dielli etj.
Lidhur me zhvillimet e reformave strukturore, po zhvillohet rishqyrtimi i 377 tarifave parafiskale, për të përmirësuar mjedisin e biznesit. Tarifat parafiskale krijojnë barriera të konsiderueshme për bizneset dhe mund t’i shtyjnë ata të operojnë në sektorin informal. Është planifikuar që këto tarifa ose të eliminohen ose të thjeshtohen, optimizohen dhe digjitalizohen për të ulur barrën e kompanive, veçanërisht atyre të vogla dhe të mesme. Raporti më tej thekson se investimi në arsim dhe shkathtësitë digjitale është kryesor për digjitalizimin e Maqedonisë. Vlerësohet se vendi përskaj përmirësimeve të caktuara në më shumë fusha, mbetet me nivel të ulët të shkathtësive digjitale që paraqet kufizim për digjitalizimin e mëtejshëm, ngjashëm me shtetet e rajonit. Investimi në arsim dhe në shkathtësitë e digjitalizimit, do të bëhen edhe më rëndësishme me kalimin e kohës, për shkak se sektorët e digjitalizimit po rriten shpejt në vitet e fundit
Është e patjetërsueshme ngritja e potencialit për rritje të ekonomisë tonë, sidomos tek produktiviteti. Digjitalizimi dhe inovacionet mund të ndikojnë ndjeshëm në rritjen produktivitetin dhe konkurrencën e ekonomisë. Sektori digjital rritet shpejt dhe me ndihmën e tij rritet potenciali i rritjes së ekonomive. Kështu që, pavarësisht sfidave të krizave globale, duhet të ju përkushtohemi reformave, siç është digjitalizimi, theksoi guvernatorja e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut Aneta Angellovska-Bezhoska në prezantimin e Raportit të Tranzicionit 2021-2022 të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në përputhje me treguesin e digjitalizimit të BERZH, në një shkallë prej 100, vendi ynë është në nivelin prej 59 për qind në lidhje me kushtet e nevojshme për digjitalizim dhe 48 për qind në lidhje me përdorimin e teknologjisë digjitale nga qytetarët dhe kompanitë, që është afër mesatares së rajonit, por larg rezultatit të dëshiruar. Derisa tek rregullorja dhe shërbimet elektronike qeveritare është bërë përparim i rëndësishëm, infrastruktura dhe aftësitë digjitale nuk janë ndryshuar shumë pesë vitet e fundit. “Këto vlerësime japin drejtime të dobishme se ku duhet të fokusohen politikat. Fokusi tek ne, duhet të jetë ndaj arritjes së një infrastrukturë më të përshtatshme digjitale, por edhe më shumë ne rritjen e aftësive digjitale. Kujdesi më i madh duhet t’i kushtohet uljes së fluksit të fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos atyre me aftësi digjitale, si dhe në përmirësimin e trajnimeve digjitale nga ana e punëdhënësve. Sa më shumë që janë të kufizuara aftësitë digjitale, aq më rëndë është të përdoren teknologjitë e reja dhe më të kufizuara janë mundësitë për rritje, në botën që është duke u marrë përsipër nga sektori digjital”, thekson guvernatorja Angellovska-Bezhovska.
Nga BERZH vlerësojnë se rritja e produktivitetit, shërbimet me cilësi më të lartë, vendimmarrja më e mirë, shtrirja më e madhe e klientëve dhe madje edhe lumturia janë të lidhura me transformimin digjital të bizneseve dhe ekonomive.
E megjithatë, rruga drejt digjitalizimit është e pabarabartë. Në Ballkanin Perëndimor, si në rajonet e tjera të BERZH-it, një ndarje e madhe urbane-rurale në mbulimin me brez të gjerë të internetit, infrastruktura digjitale e pazhvilluar dhe nivelet e ulëta të shkrim-leximit digjital paraqesin barriera për të korrur përfitimet e ofruara nga digjitalizimi. Shumica e dokumenteve zyrtare dhe të biznesit janë ende të nënshkruara në formë letre në të gjithë rajonin dhe mosbesimi dhe shqetësimet e sigurisë në lidhje me mënyrat digjitale të punës përbëjnë pengesa për zbatimin e mjeteve digjitale. Problemi me ritmin në rritje të transformimit teknologjik është se ata që nuk hyjnë në agjendën digjitale rrezikojnë të mbeten prapa. Raporti i Tranzicionit 2021-2022 i BERZH-it zbulon se njerëzit në rajonet e Bankës priren të kenë aftësi mjaft të dobëta në teknologjitë informatike dhe niveli i ulët i arsimimit digjital është një shqetësim i përsëritur në sferën e biznesit. (koha.mk)