“RAPORTI COVID – 19” Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut – Cili mban numrin më të lartë të të prekurve?

155

Mali i Zi është vendi me numrin më të ulët të të prekurve me COVID-19, nga Shqipëria, Kosova, apo Maqedonia e Veriut. Në total ka pasur vetëm 29 raste të prekura me coronavirus, prej të cilëve është shënuar vetëm 1 viktimë.

Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi ka deklaruar se në total janë 5.972 shtetas nën mbikqyrjen mjekësore, të cilët kanë qenë në një nga zonat e përhapjes së virusit, në 14 ditët e fundit.

Së fundmi, sipas një komunikate për Media të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë publike të Kosovës, këtë të martë janë testuar edhe 42 monstra të marra në hulumtim, prej të cilave 2 kanë rezultuar pozitive me COVID – 19, duke e çuar kështu numrin total të të prekurve në Kosovë, në 63. Edhe pse me një numër më të lartë të të prekurve, Kosova ka shënuar vetëm 1 viktimë, sikurse në Mal të Zi.

Nga ana tjetër, Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, gjatë daljes në një konferencë për shtyp ka njoftuar se këtë të martë janë diagnostifikuar edhe 22 pacientë të rinj me coronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 136 persona, prej të cilëve 1 është shëruar, ndërsa 2 kanë ndërruar jetë.

Filipçe theksoi se sipas vendbanimeve, deri tani raste me COVID – 19 janë regjistruar në Shkup 81, duke shënuar kështu numrin më të lartë, në Dibër 40, prej të cilëve 1 ka vdekur, në Shtip 7, në Kumanovë 3, prej të cilëve 1 ka vdekur, në Kavadar 2, në Ohër 2 dhe në Gostivar 1.

Përsa i përket vendit tonë, në total janë testuar 930 pacientë, prej të cilëve 123 raste kanë rezultuar pozitiv me COVID – 19, duke pasur një shtrirje gjeografike në 13 zona të Shqipërisë, përkatësisht Tiranë, Durrës, Lushnjë, Elbasan, Fier, Rrogozhinë, Kavajë, Korçë, Vlorë, Shkodë, Berat, Has, e së fundmi Lezhë.

Pas Maqedonisë së Veriut, me 136 persona, Shqipëria ka pasur numrin më të lartë të të prekurve, megjithatë, krahasuar me Kosovën, Malin e Zi apo Maqedoninë e Veriut, ka numrin më të lartë të viktimave, me 5 persona. Nga ana tjetër, Tirana ka numrin më të madh të të prekurve nga 13 zonat, me 72 persona.

Comments are closed.