Frenk Janmat, përfaqësues i Delegacionit të BE-së në Maqedoni, thotë se Unioni përmes këtij projekti e ka përforcuar dialogun ndëretnik dhe se drejtpërdrejt e ka mbështetur implementimin e Marrëveshjes së Ohrit
Remzije BILALLI
Shkup, 26 tetor – Inicimi i diskutimit për sfidat momentale në marrëdhëniet ndëretnike në vend, theksimi i përkushtimit politik dhe institucional në zhvillimin e dialogut ndërkulturor dhe ndëretnik pati për qëllim Konferenca kombëtare e titulluar “Drejt multikulturalizmit integrues” që u mbajt dje në Shkup, në kuadër të projektit “Diversiteti është në modë – Promovimi i multikulturalizmit në nivel lokal”.
“Republika e Maqedonisë gjithmonë ka qenë shembull i shkëlqyer se si respektohen etnitë e ndryshme, kulturat dhe religjionet. Sot pas një periudhe të caktuar të gjithë jemi shumë krenarë për ndërtimin e një shoqërie me qytetarë të barabartë, koncept i cili siguron të ardhme për të gjithë në shtetin tonë”, tha deputeti Aleksandar Kiracovski në fjalimin në konferencë. Ajo që është e rëndësishme, shtoi ai, është që shteti ynë është në një proces integrues edhe të kulturave edhe religjioneve, etnive me qëllim që të sigurojmë shoqëri për të gjithë që hapëron me guxim drejt BE-së dhe NATO-s. Frenk Janmat, përfaqësues i Delegacionit të BE-së në Maqedoni, thotë se Unioni përmes këtij projekti e ka përforcuar dialogun ndëretnik dhe se drejtpërdrejt e ka mbështetur implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Me këtë projekt arritëm disa qëllime, ndërsa njëri prej tyre është korniza multikulturore për planifikim të cilën mund të shfrytëzojnë vetëqeverisjet lokale”, tha ai. Janmat vlerëson se marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të mira edhe pse siç thotë gjithmonë mund të jenë më të mira.
Në konferencë fjalime patën edhe Albert Musliu, drejtor i parë ekzekutiv i Asociacionit për Nisma Demokratike ADI dhe Rubin Zemon, këshilltar i veçantë për zhvillimin e multikulturalizmit në zyrën e Kryetarit të Qeverisë si edhe kryetarët e komunave të Tetovës dhe të Kumanovës, Teuta Arifi dhe Maksim Dimitrievski. “Duke pasur parasysh se vendi ynë është drejtuar drejt proceseve euro-integruese, besoj që gjendja e raportit ndëretnik do të ndikojë pozitivisht, sepse një shoqëri e sigurt do të ndikojë dhe do të rrisë standardet jetësore, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi më të vogla për konflikte ose mbështetjeve të situatave të konfliktit si dhe retorika ndëretnike”, tha Musliu. Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski u shpreh se konflikti ndëretnik është më i theksuar në Komunën e Kumanovës, edhe pse qytetarët në disa raste e dëshmuan se janë drejtë vetëdijesimit dhe bashkëjetesës ndëretnike. Ai më tej shtoi se qëllimi i tij është që të bashkoj këto grupe qoftë në kafene, teatro dhe institucione të tjera sepse kjo do të sjellë një jetesë më të mirë.
Në anën tjetër, Teuta Arifi tha se Komuna e Tetovës ka buxhet të veçantë për OJQ-të, të cilët mund të konkurrojnë me projekte për multikulturaizëm, ku janë të kyçur të gjitha gjuhët dhe kulturat, duke krijuar bashkëpunimi më të gjitha bashkësitë fetare, etnike dhe kulturore për të ndërtuar një shoqëri evropiane. Projekti është zbatuar nga Asocioacioni për Nisma Demokratike (ADI) Gostivar, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup.