Shkup, 25 maj – Sipas Raportit të Komisionit Evropian, Maqedonia shënon progres të madh në plotësimin e drejtimeve të BE-së në Programin për reforma ekonomike në krahasim me vendet e rajonit.
Siç kumtuan nga Ministria e Financave, në raportin e sivjetmë është notuar se vendi në mënyrë serioze e ka përmirësuar notën apo vlerësimin në krahasim me vitin e kaluar që tregon qartë për progresin në implementimin e rekomandimeve. Këto të dhëna mund të shihen në grafikun për progresin e vendeve në plotësimin e drejtimeve të programit.
Progresi është theksuar në dialogun e sotëm midis BE-së, Vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në të cilin mori pjesë ministri i Financave Dragan Tevdovski dhe guvernatorja e BPRM-së, Anita Angellovska – Bezhoska.
Ky dialog, siç theksoi Tevdovski, na përgatit për pjesëmarrjen e ardhshme në koordinimin e politikës ekonomike të BE-së.
Që të përparojë ekonomia, nevojiten më shumë reforma, në mesin e së cilave edhe udhëheqja e politikës së shëndoshë fiskale. Programi për reforma në menaxhimin me financat publike 2018-2021 është miratuar në dhjetor të vitit 2017. Me realizimin përforcohet sistemi i financave publike, zhvillohet transparenca, përgjegjësia, disiplina fiskale dhe efikasiteti në menaxhimin me resurset publike, theksojnë nga Ministria e Financave.
Ligji i ri për buxhete, shtojnë, pritet të miratohet deri në fund të këtij viti dhe do t’i përfshijë të gjitha reformat në drejtim të përforcimit të kornizës fiskale.
Ministri Tevdovski e ka konfirmuar edhe projeksionin e Qeverisë për rritje ekonomike prej 3,2 për qind. Kjo është në pajtim me projeksionin e rishikuar të Komisionit Evropian dhe Bankës Popullore.