Mes gjithsej 134 vendeve të ranguara, Maqedonia e Veriut u gjend në vendin e 125, ndërsa prapa saj nga gjithë vendet e rajonit është vetëm Bosnjë dhe Hercegovina, e cila gjendet në vendin e 130. Nga vendet tjera nga fqinjët, Serbia është në vendin e 34, Sllovenia në vendin e 47, Romania në vendin e 51, Greqia në 58, Shqipëria në 63, Kroacia në 74, Bullgaria në 114, ndërsa Mali i Zi në vendin e 121
Xhenur ISENI
Shkup, 20 korrik – Forumi ekonomik botërorë “Global Finance”, kohë më parë publikoi një listë të shteteve më të sigurta në botë, në të cilën Maqedonia e Veriut u gjend në fund të listës, prapa gjithë vendeve të rajonit, më shumë për shkak të ballafaqimit të dobët me korona krizën dhe numri i madh i viktimave. Mes gjithsej 134 vendeve të ranguara, Maqedonia e Veriut u gjend në vendin e 125, ndërsa prapa saj nga gjithë vendet e rajonit është vetëm Bosnjë dhe Hercegovina, e cila gjendet në vendin e 130. Nga vendet tjera nga fqinjët, Serbia është në vendin e 34, Sllovenia në vendin e 47, Romania në vendin e 51, Greqia në 58, Shqipëria në 63, Kroacia në 74, Bullgaria në 114, ndërsa Mali i Zi në vendin e 121. Vendet më mirë të ranguara janë nga Evropa dhe Azija, ndërsa mes 20 të parave, nëntë janë nga Evropa. Islanda është shteti më i sigurt në botë, Finlanda është në vendin e pestë, pastaj vijnë Norvegjia dhe Danimarka. Vendi më i pasigurt në vendin e 134, janë Filipina.
KRITERET NË BAZË TË TË CILAVE JANË NXJERRË KONKLUZIONET
Revista “Global Finance”, vlerësimin e saj të sigurisë së vendeve e bazoi sipas këtyre kritereve: lufta/paqja, siguria personale, rreziku nga katastrofat natyrore dhe faktorët e rrezikut që dalin nga koronavirusi. Të gjitha këto të dhëna janë mbledhur dhe i referohen vitit 2020. Kategoritë e luftës, konfliktit të armatosur dhe nga ana tjetër rendit dhe paqes, janë të lidhura ngushtë me stabilitetin e vendit nga përshkallëzimi i brendshëm. Së dyti, siguria personale si një nga të drejtat themelore të njeriut, si kriter në praktikën e hulumtimit i referohet sigurisë nga vjedhja, grabitja, sulme, ruajtja e integritetit personal të qytetarit në tërësi. Kriteret në lidhje me sigurinë nga katastrofat natyrore, të tilla si zjarret, përmbytjet, etj. Sidoqoftë, është e qartë që menaxhimi i krizës ka luajtur një rol vendimtar në renditjen e vendit në këtë listë. Studiuesit, duke klasifikuar treguesit për menaxhimin e kovid krizës në vendin tonë, në analizën e tyre arritën në përfundimin se në pjesën më të madhe vlerësimi negativ pa dyshim ishte ndikuar nga “menaxhimi i pakënaqshëm i kovid krizës në vend dhe numri i madh i viktimave të marra nga virusi”.
PERCEPTIME REALE APO JO REALE
Profesori universitar, Bashkim Selmani shprehet se rangimet që i bëjnë institucionet ndërkombëtare lidhur me sigurinë, janë shumë reale sidomos kur bëhen vlerësime për Maqedoninë e Veriut. Ai thotë se shumë institute ndërkombëtare çdo vit japin vërejtjet e tyre sa i përket sigurisë në shtet, por Maqedonia këto sugjerime nuk i merr parasysh dhe nuk i përfill. “Nuk diskutohet a është i realt. Por, është problemi se gjithë këto parametra i ka Maqedonia. Çështjet e sigurisë janë të sigurisë kolektive, jo individuale. Maqedonia e Veriut, gati se për çdo studim që sjellin institutet e ndryshme ndërkombëtare, edhe japin vërejtjet se çfarë duhet të përmirësohet, ndërsa Maqedonia këto sugjerime nuk i merr parasysh dhe nuk i përfillë. Për çdo vit që japin të dhëna statistikore ndërkombëtare, këto janë një punë shumë e mirë, sepse shtetet e Ballkanit nuk i bëjnë vet, nuk kanë as kapacitete që t’i bëjnë vet dhe tani shumë lehtë e kanë që këto udhëzime t’i plotësojnë”, ka deklaruar për KOHA, Bashkim Selmani, profesor universitar. Nga MPB thonë se kanë njohuri me rangimin që është bërë nga ana e “Global Finance”, por kjo është rezultat më shumë i korona krizës dhe pasojat nga ajo, për të cilën përgjegjësinë e adresojnë te institucionet tjera. “‘Global Finance’ thirret në të dhëna nga viti 2020 dhe në pjesë të madhe vlerësimi është nxjerrë nga gjendja me kovid krizën në vend për të cilën janë kompetent institucione tjera”, thonë shkurt nga MPB duke shtuar se policia në vitin 2020 ka treguar rezultate të shkëlqyeshme në ballafaqimin me gjitha llojet e kriminalitetit.
Ndërsa koalicioni ASH/AAA duke komentuar rangimin e Forumi Ekonomik Botëror, respektivisht Instituti Global i Paqes, edhe njëherë përsërisin se qeveria ka dështuar në gjitha planet me menaxhimin e pandemisë. “Nisur nga kjo, koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA edhe një herë e përsërit konstatimin e shpesh thënë se kjo qeveri, për fat të keq, ka dështuar në të gjitha planet me menaxhimin e pandemisë, ndërsa këtë sot e konfirmojnë edhe institucionet e pavarura ndërkombëtare. Rrjedhimisht, nëse do të kishte kulturë të përgjegjësisë, pas këtij raporti dikush duhej të jepte llogari, por – ashtu siç e ka bërë praktikë ky pushtet – këtu mungon llogaridhënia, ndërsa çmimin e kësaj papërgjegjësie e paguajnë qytetarët, shumë shpesh edhe me jetët e tyre. Krejt kjo na bind edhe një herë se kohëzgjatja jetës së këtij pushteti është në proporcion të drejtë me dëmtimin e jetës së qytetarëve të vendit tonë. Prandaj, sa më shpejt që kjo qeveri largohet, aq më shpejt krijohet mundësi që qytetarët të çlirohen dhe të shpresojnë për jetë më të dinjitetshme”, thonë nga koalicioni ASH/AAA. (koha.mk)