Ranieri i “hap dyert” kombëtares italiane

Kombëtarja italiane vijon të jetë pa trajner, por edhe pa president të Federatës, në pritje të zgjedhjeve për të përcaktuar pasardhësin e Taveçios, që më pas do të zgjedhë edhe pasardhësin e Venturës. Pas refuzimit publikisht të stolit nga disa emra të rëndësishëm të trajningut në Itali, si Karlo Ançelotti, Roberto Mançini, Luçiano Spaleti, etj., duket se favorit tanimë është Klaudio Ranieri. Ai shikohet si njeriu me eksperiencën e duhur për të rikthyer drejt suksesit “Axurrët”, pasi ka drejtuar me sukses si në Serinë A, në Premier Ligë ku u shpall kampion me Leiçesterin, por edhe tani në Francë me Nantes. Vetë Ranieri tregoi se do të ishte i lumtur nëse do t’i ofrohej bankina e Italisë dhe se do ta pranonte me kënaqësi.

“Kombëtarja është një kënaqësi dhe do ta pranoja menjëherë ftesën. Kam një kontratë me Nantes dhe jam i prirë ta respektoj, por nëse më thërret kombëtarja, do të flas me presidentin për t’i kërkuar largimin”, deklaroi Ranieri.