Në verë dështoi kalimi i tij te Milani, ndonëse ishte shumë pranë, ndërsa së fundi është folur shpesh për një interesim të fortë të klubit të Romës për gjermanin Ralf Rangnick. Klubi verdhekuq është në kërkim të një drejtori sportiv, pasi vendi ka mbetur bosh me shkarkimin e Petrachit dhe gjermani shihet si njeriu ideal për atë pozicion, por vetë Rangnick u ka mbyllur dyert italianëve.
Në një intervistë për spanjollen “El Pais”, Rangnick deklaroi se nuk e sheh veten te Roma dhe se të ardhmen e tij e imagjinon në një klub anglez apo gjerman, që të ketë ambicie për të shkuar sa më lart.
“Nuk jam duke negociuar me Romën. Nuk mund ta imagjinoj veten në këtë klub aktualisht, pasi synoj të punoj në një skuadër shumë më ambicioze. 14 vitet e fundit të punës time te Hoffenhaim e Leipzig kanë treguar se jam në momentin më të mirë dhe se nuk jam thjesht një trajner, por një njeri që zhvillon klubin. Ambicia ime është të punoj në një klub tradicional në Gjermani apo në Angli. E shoh veten në drejtimin e një klubi ambicioz, që synon të fitojë trofe menjëherë”, tha gjermani Rangnick.