Prishtinë, 14 janar – Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj i është refuzuar kërkesa për vizë amerikane, dhe kështu që ai nuk do të mund të marrë pjesë në një konferencë për Ballkanin që do të mbahet në muajin shkurt, mëson Al Jazeera Balkans nga burime të saj në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH), transmeton Koha.
Ndërsa, Al Jazeere kohë më parë ka raportuar se Haradinaj ka pranuar një ftesë për të marrë pjesë në një konferencë për Ballkanin që do të mbahet më 6 shkurt. Burime nga Departamenti i Shtetit kanë theksuar se Haradinajt i është refuzuar kërkesa për vizë për shkak të taksës doganore të Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.
Mungesën e Haradinajt në Konferencën Ballkanike që duhet të mbahet më 6 shkurt në SHBA, e ka konfirmuaer për Al Jazeera Balkans edhe një nga organizatorët.
Nga ana tjetër, gazeta Metron shkruan se përveç kryeministri Ramush Haradinaj, drejt SHBA-së nuk do të mund të udhëtojnë edhe zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj dhe Fatmir Limaj, ministri Endrit Shala dhe shumë funksionarë të tjerë dhe familjet e tyre.
Çdo personi të përfshirë në vendosjen e taksës, siç shkruan Gazeta Metro, do t’i vendoset “vijë e kuqe” për udhëtim drejt Amerikës.
“Nëse nuk suspendohet taksa 100 për qind deri më 21 janar, administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të vendosin edhe sanksione politike ndaj Qeverisë së Kosovës, pjestarëve dhe familjeve të tyre”, shkruan Gazeta Metro.
Po ashtu, SHBA nuk do të lobojnë dhe nuk do ta mbështesin në asnjë proces Kosovën, ku ndihma e tyre është e nevojshme, përderisa Qeveria e Kosovës nuk e suspendon taksën 100 për qind.
Mbështetja për Ushtrinë e Kosovës, e cila u bë me përkrahjen amerikane, do të pezullohet dhe do të ngrihen tërë fondet amerikane si mbështetje për FSK-në.
Sapo të hyjnë sanksionet në fuqi, më as ambasadori amerikan në Kosovë nuk do ta takojë asnjërin prej liderëve politikë të përfshirë në vendosjen e taksës.
Gazeta Metro mëson se sanksionet janë të iniciuara drejtpërdrejtë nga Shtëpia e Bardhë dhe kanë mbështetjen e plotë të Departamentit Amerikan të Shtetit. (Koha.mk)