Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se edhe në takimin e sotëm me ambasadorin amerikan në Kosovë Philip Kosnett është biseduar për taksën 100 % ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Haradinaj ka thënë se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet i njëjtët – kërkojnë pezullimin e taksës.
“Është qëndrim i qartë i Departamentit të Shtetit dhe institucioneve të Amerikës – janë unik kur sugjerojnë që të pezullohet taka në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut”.
“Është përsëritur ky qëndrim sot dhe në çdo takim por kemi biseduar edhe tema të tjera bilaterale që ka Kosova me Amerikën”.
“Kemi biseduar edhe për vizitën që pritet të vijë në Kosovë një delegacion i senatorëve dhe kongresmenëve të nderuar”.
Haradinaj ka thënë pas mbledhjes së Qeverisë se ai dëshiron ta heqë krejtësisht taksën, jo vetëm ta pezullojë, por kjo ndërlidhjet me njohjen nga Serbia.
“Qëndrimi ynë është i qartë dhe dua ta heq taksën krejt, bile preferoj heqjen e taksës jo vetëm pezullimi por kjo është e lidhur me njohjen nga Serbia”.
“Sugjerimi im është që të mos ndërlidhen temat. Dialogu ka filluar më herët para taksës, nuk është kushtëzuar më herët dhe nuk duhet të kushtëzohet as tash”.