Uashingtoni posedon mjete që ta ndalojë realizimin e projektit të gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2”, deklaroi sot ambasadori i SHBA-së në Bashkimin Evropian, Gordon Sondlend.
Sipas tij, me këtë gazsjellës Evropa do të gjendej në pozicion të ndjeshëm gjeopolitik.
“Kur evropianët janë të ndjeshëm, atëherë edhe SHBA-ja është e ndejshme. Nuk dëshirojmë që gazi të ndërpritet në dimër për shkak të ndonjë krize”,deklaroi Sondlend, duke aluduar për disa rastet e ndalimit të shpërndarjes së gazit nga ana e gjigantit energjetik rus “Gazprom” në vitin 2009, për shkak të kontestit ndërmjet Moskës dhe Kievit. Atëherë një pjesë e madhe nga Evropa Lindore dhe Qendrore mbetën pa gaz për ngrohje gjatë dimrit.
Sondlend theksoi se SHBA-ja nuk lejon që Evropa përsëri të gjendet në një situatë të këtillë.
“Nëse BE-ja nuk e kupton këtë logjikë, atëherë presidenti i SHBA-së mund të shfrytëzojë instrumente të ndryshme të cilat i kemi në dispozicion dhe ta ndalojë realizimin e atij projekti”, deklaroi ambasadori amerikan.
Sipas tij, SHBA-ja disponon me shumë instrumente të cilat ende nuk i ka shfrytëzuar që ta bllokojnë projektin, duke shtuar se gjithnjë e më shumë vende evropiane vlerësojnë se varësia nga gazi rus është zgjidhje jo e drejtë.
Polonia vitin e kaluar nënshkroi marrëveshje afatgjate për furnizim me gaz natyror me kompaninë amerikane “Shenie Marketing Interneshenel”, e cila i posedon kapacitetet më të mëdha për prodhimtari të këtij energjensi në SHBA.
Sipas burimeve polake, gazi i lëngshëm natyror amerikan është për 30 për qind më i lirë se ai rus.
Një pjesë të vogël të nevojave të saja Polonia i plotëson nga burimet e saja, përderisa pjesën më të madhe të nevojave i mbulon me import të energjensit nga Rusia.
Me marrëveshjen me kompaninë amerikane, Polonia dëshiron të lirohet nga varësia e gazit rus.
Krahas Polonisë edhe vendet baltike dhe Ukraina janë kundër ndërtimit të “Rrjedhës Veriore 2”, që nga Rusia, përmes Detit Baltik duhet të shkojë direkt në Gjermani. Këto pesë vende janë lodhur nga tranziti i gazit rus përgjatë territorit të tyre dhe “Gazprom” i shfrytëzon vetëm si konsumatorë, ndërsa jo si partnerë.
Presidenti i Ukrainës, Petar Poroshenko, para pak kohësh kishte takim me sekretarin amerikan për energji Rik Peri, ku u bisedua për mundësinë që Ukraina të furnizohet me gaz nga SHBA-ja dhe të shfrytëzojë teknologji amerikane për shfrytëzim të depozitave të hidrokarbureve.