David Beckham ka thënë se tash e një kohë të gjatë është duke e kërkuar që ta sjellë tek Inter Miami mbrojtësin Sergio Ramos, me të cilin ishte bashkëlojtar në të kaluarën. Beckham i kaloi dy vjet në një ekip me Ramosin sa ishte pjesë e Real Madridit, para se të transferohej në LA Galaxy në SHBA në vitin 2007. Ramosi është duke negociuar për ta vazhduar kontratën në Madrid.
Kontrata aktuale Ramosit i përfundon në vitin 2021, por ka një numër të madh të klubeve që janë të interesuar për shërbimet e tij. Beckhami e ka një pjesë të pronësisë së klubit Inter Miami. Ai kërkon që ta bindë qendërmbrojtësin spanjoll ta mbyllë karrierën në SHBA. Ramosi e shënoi golin e 100 për Real Madridin të martën kundër Interit në Ligën e Kampionëve.
34-vjeçari vlerësohet se mund të vazhdojë ende të luajë në nivelet më të larta të futbollit. Nga mediat spanjolle është thënë se Ramosi do të luajë për madrilenët edhe për dy vite tjera.