Sergio Ramos është i mendimit se do të ishte një çmenduri për Real Madrid, nëse do të shkarkonte trajnerin Julen Lopetegui, pavarësisht humbjes së të shtunës ndaj Alavesit, që e çoi në katër numrin e ndeshjeve pa fitore. Lopetegui, i cili zëvëndësoi Zidane, ndodhet në një presion të madh pas humbjes së tretë në katër ndeshje, por brenda ekipit ka njerëz që e mbështesin, ku njëri prej tyre është mbrojtësi spanjoll.
“Njerëz të tjerë marrin vendime të tilla, por kurrë nuk është një gjë e mirë kur ka ndryshim trajneri. Do të ishte çmenduri”, deklaroi Ramos. “Ne duhet të shikojmë përpara sepse sezoni është shumë i gjatë dhe ka ende edhe shumë rrugë për të bërë. Kushdo që ka thënë se Real Madridi është i vdekur, gjithmonë ka gabuar. Ne (lojtarët) jemi të parët që duhet të provojmë që të përmirësohemi dhe ne jemi duke u munduar që ta bëjmë këtë. Nuk është e drejtë që t’ia lësh fajin dikujt, ne jemi të gjithë të vetëdijshëm për realitetin. E dimë që rezultatet janë zhgënjyese, por ne duam të fitojmë sepse e kemi në DNA”- e mbylli mbrojtësi.