Ramos: Nuk ka asnjë të re për rinovimin

21

Sergio Ramos është në muajt e fundit të kontratës me Realin e Madridit dhe gjasat janë që të largohet nga klubi kryeqytetas në fund të sezonit. Palët kanë kohë që negociojnë për rinovimin, por oferta e presidentit Florentino Perez është ende larg pretendimeve të kapitenit të Los Blancos.

Këtë e ka konfirmuar vetë Sergio Ramos, në një intervistë të dhënë për Amazon Prime Video, ku ka theksuar se në negociatat mes palëve nuk ka asnjë të re dhe se nëse ndryshon diçka, do ta komunikojë menjëherë.

“Ka shumë pasiguri. Do të doja që të mund të thosha diçka, por nuk ka asnjë të re. Nëse do të ketë diçka të re, do të jem unë i pari që do t’ua komunikoj menjëherë. Nuk ka asnjë të re në propozimin për rinovim dhe momentalisht jam duke punuar për të lënë pas dëmtimin dhe për të mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Ramos.

Mbrojtësi 34-vjeçar i është bashkuar Realit të Madridit që në verën e 2005-ës, kur kishte vetëm 19 vite mbi supe dhe gjatë 16 sezoneve ka fituar gjithçka me Los Blancos, ndërsa për shërbimet e tij janë vënë në lëvizje klube si PSG, por edhe Inter Miami në MLS-në amerikane.