Prishtinë, 14 mars – Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, i ka quajtur si luftë speciale, deklarimet që po vijnë nga Serbia për ndërhyrje ushtarake në veri të Kosovës, njofton gazeta KOHA.
I pyetur nga Gazeta Ekspres nëse do të dërgojnë pjesëtarë të ushtrisë së Kosovës në veri së bashku me forcat e KFOR-it, Ramadani nuk ka dhënë një përgjigje definitive, megjithatë ka thënë se do të bashkëpunojnë me KFOR-in në çfarëdo rrethane që mund të krijohet.
“Kjo është luftë speciale dezinformuese e Serbisë dhe është shumë agresive. Pretendimet se gjoja Kosova do të sulmojë qytetarët e vet janë absurditet dhe broçkulla të stilit të viteve të 1990-ta”, ka thënë Ramadani.
Ai thotë se janë të njëjtit udhëheqës në Serbi, të cilët kanë qenë në pushtet edhe gjatë viteve të 90-ta, vetëm se tash me role të ndryshme.
“Por, tek e fundit, të njëjtit zyrtarë që kanë udhëhequr Serbinë gjatë viteve të 1990-ta të njëjtit janë edhe tash. Vetëm pozitat i kanë ndërruar. Atëherë, si bashkëpunëtorë të afërt të Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq ka qenë Ministër e tash President, ndërsa Ivica Daciq ka qenë zëdhënës e tash ministër. I kanë bërë katër luftëra në 10 vjet, gjenocid, spastrim etnik, shkatërrime masive, dhunime e masakra të panumërta në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, dhe Luginë të Preshevës”, shton zëvendësministri i Mbrojtjes.
Sipas tij Serbia ngjashëm po bën luftë speciale për të fajësuar shqiptarët për ndonjë sulm të mundshëm, njëjtë siç ka bërë me rastin e njohur si ‘Panda’.
“Kjo luftë speciale është e ngjashme me atë të viteve të 1990-ta, kur Serbia pati organizuar sulmin e njohur si “Panda” ndaj serbëve të Kosovës, vetëm e vetëm që të fajësojë shqiptarët e Kosovës”, shton ai.
Ai thotë se Kosova është duke punuar shumë drejt integrimit në NATO-, dhe është e përkushtuar që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallime.
“Bashkëjetesa midis etnive të ndryshme është traditë e popullit tonë”, shton ai. (koha.mk)