Skuadrat e Kosovës i kanë mësuar ditën e djeshme kundërshtarët për rrethin e parë në garat evropiane. Drita do të luajë me Inter Turkun e Finlandës në Ligën e Konferencës, derisa Gjilani me Liepajan e Letonisë, ndërsa Llapi me Buducnostin e Malit të Zi.
Para ndeshjes ndaj skuadrës së Liepajan, ka folur trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani. Trajneri Ramadani në një prononcim për faqen e klubit ka thënë se do të përgatiten për ndeshjet dhe do të mundohen të marrin informacione për kundërshtarët, transmeton Insajderi.
“Një kundershtar i rrespektuar në këtë fazë të garës. Kemi filluar mbledhjen e informacioneve për kundërshtarin edhe pse kemi pak njohuri, pasi që kemi parë ndeshjen me Strugën në edicionin e kaluar.
Do përgatitemi sa më mirë për këto dy ndeshje dhe presim që të kalojmë këtë rund të garës, pasi që qëllimi është të kualifikohemi sa më larg”.
Ndryshe, Drita dhe Llapi do t’i zhvillojnë dy ndeshjet e para në udhëtim më 7 korrik, derisa Gjilani në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë – kjo për shkak të mungesës së stadiumeve, duke marrë parasysh se vetëm stadiumi “Fadil Vokrri” i plotëson kushtet.