Shkup, 26 dhjetor – Pas largimit të serbit Milinkoviç, banka e kampionëve të Kukësit ka ngelur vakant. Të shumtë janë emrat që kanë qarkulluar, por presidenti Gjici mesa duket nuk do të nxitohet në zgjedhje. Burime të sigurta pranë “Panorama Sport” bëjnë me dije, se drejtuesit e klubit verilindor kanë pasur ditën e djeshme një takim me ish-trajnerin e Flamurtarit, Zekirija Ramadani. 39-vjeçari nga Shkupi shihet si një alternativë e mundshme nga ana e presidentit, pasi njeh mirë futbollin shqiptar.
Kujtojmë, në sezonin 2010-2011, Ramadani ka qenë pjesë e Flamurtarit si futbollist, ndërsa në sezonin 2016, ai mori drejtimin e skuadrës vlonjate si trajner i parë. Aventura e tij nuk zgjati shumë me klubin kuqezi, për shkak të rezultateve të dobëta. Pas Flamurtarit, 39-vjeçari, drejtoi skuadrën kampione të Kosovës, Trepça 89’, ndërsa së fundmi ishte pjesë e Feronikelit, derisa aktualisht është pa angazhim dhe në ditët në vijim do të mësohet se do të vjen në krye të Kukësit apo jo.